Emigrantët, Greqia ashpërson masat
Zerina Llambro
Ashpërsohen ndëshkimet për emigrantët e paligjshëm në Greqi. Ndërsa Italia ve-ndos “kushte” mbi të ardhurat e personave që duan të studiojnë e të vetëpunësohen në këtë shtet, pak ditë më parë qeveria greke miratoi një paketë të re masash. Nga sa bën me dije specialisti për emigracionin në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi, penalizimet do jenë të forta. Kështu është parashikuar ngritja e qendrave të mbajtjes për imigrantët e parregullt, ku ata mund të qëndrojnë të mbyllur 12 muaj. “Qeveria greke po kështu do të ngrejë një Komision Bashkërendimi mes ministrive të ndryshme lidhur me këtë çështje”, tha Hatibi. Sipas tij, Greqia i ka kërkuar zyrtarisht BE-së që çështja e migrimit të diskutohet në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian.
Italia
Ndërkaq shtetasit e huaj, që synojnë të shkojnë në Itali për të ndjekur një kurs studimor apo për të ndjekur studime universitare, duhet të provojnë se zotërojnë burime të mjaftueshme për mbajtjen e tyre gjatë qëndrimit të parashikuar. Kur kohëzgjatja e kursit studimor nuk kalon tre muaj, masa e mjeteve të jetesës, lidhur me kohëzgjatjen e qëndrimit në Itali është ajo e parashikuar nga tabela e bashkëlidhur direktivës së Ministrisë së Brendshme. “Nëse kohëzgjatja është më shumë se tre muaj, studenti i huaj, shtetas nga shtete jo anëtare të BE-së, duhet të provojë se zotëron të ardhura mujore të barabarta me çekun social (për 2009 kjo është baraz 409.05 euro)”, sqaron Hatibi. Ai shton se sipas direktivës së re, nëse këta shtetas synojnë të ndjekin studime universitare në universitete italiane, duhet të provojnë se zotërojnë mjete jetese në një masë jo më të vogël se 350.57 për çdo muaj të kohëzgjatjes së vitit akademik. Në të gjitha rastet, zotërimi ekonomik mund të provohet përmes garancive ekonomike personale apo të ofruara nga Institucione apo Ente italiane, që konsiderohen të besueshëm nga përfaqësia diplomatike italiane (garanci bankare, llogari bankare, polica garancie bankare apo sigurimesh etj). “Shtetasit e huaj nga shtete jo anëtare të BE-së, që synojnë të vijnë në Itali për të kryer aktivitet të pavarur si të vetëpunësuar, nëse plotësojnë kërkesat ligjore mund të bëjnë kërkesë të posaçme për miratim për punë të pavarur vetëpun-ësim, pranë Kuesturës kompetente, vetëm pas botimit të dekret flukseve, që për këto hyrje rezervon një kuotë të caktuar”, bën me dije Ministria e Punës. Mes kërkesave të tjera ligjore, ky shtetas i huaj duhet të zotërojë një të ardhur vjetore, që vjen nga burime të ligjshme, në një masë të nivelit minimal të parashikuar nga ligji, për përjashtimin nga shpenzimet sanitare (€ 8.400). Prova e zotërimit të disponibilitetit ekonomik mund të ofrohet përmes parave “cash”, llogarive bankare, titujve të kreditit, garancive bankare apo policave sigurimesh, apo përmes çdo dokumenti tjetër të vlefshëm, që provon burimet e të ardhurave.