E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djegia e bunkerit,dosja shkon në prokurori

 

Tirane - Drejtoria e Policisë së kryeqytetit përcolli dje në Prokurori materialet hetimore mbi djegien e bunkerit në qendër të Tiranës ditën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare, sipas të cilave pas hetimeve paraprake mbi këtë ngjarje, policia vendosi që gjithë materialet e grumbulluara t'i kalojë në Prokurori për hetime të mëtejshme. Përkundër disa informacioneve mediatike që ia referonin këtë ngjarje drejtuesit të lëvizjes "Zgjohu", policia dhe prokuroria konfirmojnë se referimi i veprës penale nuk ka asnjë autor të dyshuar. Bunkeri simulativ u dogj të dielën, ditën e zgjedhjeve pak minuta pasi procesi zgjedhor ishte shpallur i mbyllur. Një re e zezë tymi u duk në qendër të Tiranës ndërsa më pas u mësua se ishte djegur objekti simulativ i vendosur kohë më parë nga lëvizja "Zgjohu" në shenjë proteste ndaj Bashkisë së Tiranës. djegia e bunkerit simulativ, i cili përbëhej nga lëndë bukëpeshku shkaktoi ndotje në ambientin e kryeqytetit ndërsa policia reagoi menjëherë. Forca të shumta të poliisë dhe zjarrfikëseve shkuan në vendin e ngjarjes dhe fillimisht shuan flakët e zjarrit. Më pas policia filloi hetimet e saj për gjetjen autorëve të ngjarjes por pas disa ditë verifikimesh nuk është bërë i mundur identifikimi i tyre. Rreth një javë pas ngjarjes policia ka vendosur të referojë në prokurori të gjitha materialet e grumbulluara gjatë hetimeve të ngjarjes. Mësohet se janë marrë në pyetje rreth 20 dëshmitarë, kryesisht persona që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes në momentin kur u dogj bunkeri simulativ. Po kështu është marrë në pyetje edhe drejtuesi i lëvizjes "Zgjodhu", Altin Goxhaj, i cili është paraqitur me vullnetin e tij në polici, duke dhënë sqarimet e veta, pasi u aludua në media se ishte autor i ngjarjes. Menjëherë pas djegies së bunkerit simulativ mediat elektronike raportuan një lidhje të mundshme të kësaj ngjarje me procesin zgjedhor, duke theksuar se zjarri kishte rënë në kohën kur procesi i votimit po shpallej i mbyllur në të gjithë vendin. Pas verifikimeve nga policia, nuk është bërë e mundur identifikimi i autorëve të ngjarjes, ndërsa dosja i është referuar prokurorisë për veprën penale shkatërrim prone. Dosja është pa autor, ndërsa pritet që pasi të analizohet në Prokurori të vendoset më pas për fatin e hetimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›