E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, 20 shkurti dita e viktimave të komunizmit



Kuvendi vendos që 20 shkurti të jetë dita e përkujtimit të viktimave dhe krimeve të komunizmit në Shqipëri. Komisioni i Ligjeve ka pranuar variantin e Qeverisë, që ditën kur u rrëzua monumenti i diktatorit Enver Hoxha të shpallet dhe si data e përkujtimit të krimeve të komunizmit. Drafti “Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri” u miratua me votat e deputetëve të PD-së dhe të LSI-së në komisionin e Ligjeve, duke shpallur 20 shkurtin datë e përkujtimit publik. PD u tërhoq nga ideja që të shpallte 29 nëntorin si datë përkujtimi të viktimave. Ishte pikërisht deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, që hodhi këtë ide. Vetë ai në mbledhjen e djeshme tha se “Unë do ta kisha gjetur shumë me vend vendosjen e datës 29 nëntor si ditë përkujtimi, jo si një datë që duhet t’i ndajë shqiptarët, sepse ajo është një datë që i ndan shqiptarët, por për t’i dhënë kësaj date një shans më tepër për t’i bashkuar shqiptarët në atë ditë”, tha Strazimiri. Deputetët shtuan se përveç obeliskut në qendër të Tiranës dhe hapjes së muzeut do të ngrihen dhe monumente të tjera në gjithë Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›