Vizat, Berisha vlerëson ligjin antidiskriminim
Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave e ka cilësuar si të rëndësishëm miratimin e ligjit antidiskriminim. “Anë pozitive e këtij ligji është sepse në tërësi mund të quhet një ligj konsensual, për faktin se është konsultuar edhe me udhëheqësit e komuniteteve fetare, duke marrë plotësisht parasysh, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre. Shqipëria ka një rekord unik anti fetar, në Evropë, në të shkuarën e saj të hidhur dhe nuk është e pranueshme të ketë reminishenca, qoftë edhe të çfarëdo lloji, të intimidimit apo të mospërfilljes së mendimit të udhëheqjes së komuniteteve fetare, të cilët edhe ata janë kundër diskriminimit”, tha Berisha. Kryeministri theksoi se këto ditë, një ekip i gjerë i organizuar nga KE kanë vizituar vendin, kanë pasur bisedime dhe kontakte intensive me punonjës të administratës dhe institucioneve, duke trajtuar me to të gjitha çështjet e udhërrëfyesit të heqjes së vizave, por që kanë të bëjnë me institucionin perspektiv. Ai shtoi se “fakti është se në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit janë rezultate të prekshme, pra ky proces u shndërrua dhe në një faktor të rëndësishëm të ndryshimit në kahet pozitive të vendit, të modernizimit të plotë, të kontrollit të integruar të kufijve të vendit, të miratimit të ligjeve të reja shumë të rëndësishme, për luftën kundër krimit të organizuar në tërësi dhe krimit ekonomik në veçanti”.