Ruçi: Të gatshëm të zbatojmë rezolutën e KiE, hetim pa kufizime
Kreu i Asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi, pas takimit me Presidentin Topi u shpreh se partia më e madhe e opozitës është e gatshme të zbatojë Rezolutën e Asamblesë së Këshillit të Evropës. Sipas tij, “PS është e vendosur për të zbatuar rezolutën e KiE-së dhe veçanërisht pikën 7, e cila kërkon 3 gjëra, e para komisionin hetimor në përputhje me Kushtetutën dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e dyta kthimin e opozitës në Parlament. “Ajo që ne i ritheksuam Presidentit është që PS shpreh gjithë vullnetin e saj politik për të zbatuar këtë pikë të rezolutës të KiE, për të zbatuar këtë pikë sipas kërkesave të rezolutës së KiE, sipas nenit 77 të paragrafit të 2 të Kushtetutës, dhe sipas pikës 4 të interpretimit që i ka bërë Gjykata objektit të hetimit të komisioneve hetimore. Ky është pozicioni i PS që e ritheksoj”, deklaroi Ruçi. Zyrtari i Lartë socialist mohoi që PS të ketë propozime konkrete në tryezën e sotme. “Partia Socialiste edhe njëherë shpalosi te Presidenti që ne jemi tërësisht dakord me atë interpretim që i ka bërë Gjykata Kushtetuese nenit 77 paragrafit të dytë për objektin dhe qëllimin e hetimit”, theksoi Ruçi. Sipas tij, problemi këtu është tek objekti i hetimit, i cili ka qenë objekt interpretimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ku përcaktohet me të drejtë nga rezoluta e KiE. Nuk ka kufizim, nuk ka asnjë tërheqje nga Partia Socialiste që hetimit t’i vihen kufizime, në qoftë se do t’i vihen kufizime atëherë nuk kemi hetim. Objekti i hetimit është i përcaktuar qartë, qëllimi i hetimit është i përcaktuar qartë në nenin e Kushtetutës, dhe në interpretimin që i ka bërë pika 4 e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Ruçi.