Presidenti, konsultime me BE dhe SHBA
ADI SHKEMBI
Pas takimeve kokë më kokë me kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama, Presidenti Topi udhëton për në Kroaci ku do të marrë pjesë në inaugurimin e homologut të tij të ri, Ivo Josipoviç. Por udhëtimi drejt Zagrebit nuk do të jetë vetëm formal për kreun e shtetit, pasi në axhendën e tij parashikohen takime të rëndësishme me përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së, pas të cilave pritet që Topi të takojë krerët e politikës në vend me një projekt konkret për zgjidhjen e krizës.
Takimet
Paraditen e djeshme Presidenti priti në zyrën e tij ambasadorin e Komisionit Evropian, Helmuth Lohan dhe ambasadorin e Spanjës, Manuel Montobio. Për rreth 70 minuta kreu i shtetit diskutoi me diplomatët e huaj për rrugët e zgjidhjes së krizës në vend. Pas axhendës që ngjeshur të ditës së djeshme Topi do të niset sot për në Kroaci ku ndër të tjera do të ketë takime të rëndësishme me komisionerin e ri për zgjerimin, Stefan Fyle dhe të nënsekretaren e Shtetit amerikan, Xhejkob Lju. “Këto takime u thirrën nga Kreu i Shtetit shqiptar në vijimësi të tryezës politike të së shtunës dhe të kërkimit e gjetjes së pikëtakimeve mes pozitës dhe opozitës. Këto takime, që synojnë vazhdimin e dialogut të nisur në tryezën e ditës së shtunë, Presidenti Topi i zhvilloi sot, në prag të nisjes nesër për në Kroaci ku do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri kroat, Ivo Josipoviç dhe do të ketë takime bilaterale me homologë të tij nga rajoni, me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën Rajonale, Shtefan Fyle, si dhe me Nënsekretarin e Shtetit amerikan, Xhejkob Lju”, thuhet në njoftimin e djeshëm për shtyp në përfundim të takimeve me ambasadorët, kreun e PS-së, Edi Rama dhe kryeministrin Berisha. Por burime zyrtare bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se në përfundim të takimeve me zyrtarët e lartë të Komisionit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kreu i shtetit pritet të vijë në Tiranë me një projekt konkret të cilin do t’ia parashtrojë palëve për zgjidhjen e krizës në vend. Ndërkohë zëdhënësja e komisionerit për Zgjerimin, tha dje se Stefan Fule do të vizitojë Tiranën shumë shpejt, ndërkohë që data e vizitës do të përcaktohet në takimin me Presidentin Topi. “çdo ditë ne po shohim, se cilat janë zhvillimet e reja në Shqipëri, duke shpresuar që këto zhvillime të jenë inkurajuese. Komisioneri Fule do të ketë një takim kokë për kokë me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi për të folur lidhur me prioritetet e vendit për ecurinë në perspektivën e anëtarësimit. Takimi midis komisioniert Fule dhe Presidentit shqiptar do të shërbejë gjithashtu për të rënë dakord mbi një datë, se kur komisioneri mund të vizitojë Shqipërinë për të pasur një diskutim më të gjerë me të gjithë faktorët dhe aktorët më të rëndësishëm të përfshirë në këtë proces”, tha zëdhënësja e Fule, Angela Filote.