E Shtunë, 31 Tetor 2026

UT, mbi 7 mijë kuota pranimi për vitin e ri akademik

TIRANë- Universiteti i Tiranës ka propozuar mbi 7 mijë kuota studimi për vitin e ri akademik që nis këtë shtator pas verifikimit të kapaciteteve, ku drejtuesit e fakulteteve përcaktuan edhe kuotat e mundshme nga çdo strukturë e arsimit të lartë publik.

Aktualisht kuotat janë depozituar për miratim pranë Ministrisë së Arsimit. Megjithatë, propozimet mund të ndryshojnë, duke përfshirë jo vetëm uljen e tyre, por edhe rritjen, pasi fjalën e fundit për miratim e ka Këshilli i Ministrave.

Ashtu si dhe vjet, numrin më të lartë të kuotave të pranimit rezulton t'a ketë Fakulteti Ekonomik, për të cilin janë propozuar rreth 1166 kuota pranimi në të gjitha degët. Rreth 26 të kuotave do të jenë në dispozicion të kandidatëve që do të vijnë nga trojet jashtë Shqipërisë.

Gjithashtu, rezulton një rritje e kuotave të pranimit krahasuar me vitin e kaluar edhe për Fakultetin e Drejtësisë, për të cilin janë ofruar 700 vende pranimi, për Fakultetin e Shkencave Sociale 600 kuota dhe për Gjuhët e Huaja 820 kuota pranimi, të shpërndara sipas programeve të studimit që ofrohen në UT.
Në sistemin me kohë të plotë janë përcaktuar gjithsej 5665 kuota, ndërsa në sistemin me kohë të pjesshme 1305 kuota.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›