E Shtunë, 31 Tetor 2026

Belgjika pranon të dorëzojë të shumëkërkuarin shqiptar

MARRËVESHJA/ Ministria belge e Drejtësisë vendosi të pranojë ekstradimin e 28-vjeçarit të akuzuar për vrasje

TIRANË- Vrasje, përdhunime, grabitje, gjobëvënie. Të gjitha këto akuza rëndojnë ndaj 28-vjeçarit shkodran super i kërkuar nga policia shqiptare, i cili ndodhet në burgjet e Belgjikës. Një vit pas prangosjes së tij, ministri belg i Drejtësisë firmosi ekstradimin, fakt i bërë i njohur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëri të ditur dje se Zyra Qendrore e Interpol Tiranës. Kështu, drejtësia shqiptare është në pritje të ekstradimit të Bajrit, i akuzuar për një sërë veprash penale të rënda, të kryera kryesisht në qytetin e Shkodrës. Behar Bajri u arrestua në datën 17 dhjetor të viti 2007 në lokalitetin Gent në Belgjikë. Ai përdorte gjeneralitete false me emrin Mitko Kamenov.

Akuzat

Behar Bajri, i cili prej rreth një viti qëndron në burgjet e Belgjikës, akuzohet si autor i një serë ngjarjesh, kryesisht vrasje. Akuza e parë për Bajrin u ngrit në vitin 1999, kur ai ishte 19 vjeç. Ngjarja për të cilën u akuzua i riu ka ndodhur më datë 14 janar të vitit 1999 në lagjen Dobraç të Shkodrës kur ai, në bashkëpunim me Ilir Bajrin dhe Frederik Totaj, tentuan të grabisin me armë dy vëllezërit Osman e Artur Alibali, nga Berati, të cilët po udhëtonin me një kamion me targa të Vlorës. Pas grabitjes, tre personat nga Shkodra vranë me armë zjarri dy vëllezërit dhe më pas u larguan duke iu shpëtuar prangave të policisë. Vetëm dy muaj më pas, Behar Bajri, në bashkëpunim me Ilirin, tentoi të vidhte me armë Arben Tuzin dhe vëllain të tij. Por këta të fundit reaguan duke u përleshur me armë zjarri, për pasojë mbetën të plagosur të dyja palët. Më datë 15 shkurt të vitit 2001 ,në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër, u vra me armë zjarri 39-vjeçari Arben Tuzi, krim për të cilin u akuzuan Behar dhe Ilir Bajri. Në vitin 2002 në banesë u gjet e vrarë bashkëshortja e Behar Bajrit. Fillimisht u dyshua se 20-vjeçarja ishte vetëvrarë në kushtet e depresionit, por më pas, nga hetimet e kryera rezultoi se e reja ishte vrarë nga bashkëshorti i saj.

Vendimet e gjykatave

Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Shkodër ishte viktima e radhës e Bajrit. Polici u vra në fshatin Dobraç, në 28 janar të vitit 2000, dhe për këtë ngjarje Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e dënoi Bajrin vetëm me dy vjet burgim. Rreth dy vjet më parë, emri i Behar Bajrit u lakua nga policia si përdhunues i dy vajzave të mitura, krim të cilin dyshohet ta ketë kryer në bashkëpunim me një tjetër person. Për këtë ngjarje, Gjykata e Shkodrës kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Një vit më vonë, në shkurt 2007, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë vendosi ta dënojë më 9 vjet burgim dhe dy milionë lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Ngjarja ka ndodhur me datën 12 shtator të vitit 2005, në Shkodër, ku në bashkëpunim me kushëririn Sead Rustemi, përmes gjobëvënies, Bajri kërkoi që të përfitojë pa të drejtë shumën prej 5 milionë lekësh të reja nga një banor i qytetit të Shkodrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›