Vrasja e dyfishtë, autori gjendet pas 7 vjetësh
Personi i vënë në pranga ishte cilësuar prej shumë kohësh nga familjarët e viktimave si njeriu që kishte kryer vrasjen
BURREL – Rihapet pas shtatë vjetësh dosja e regjistruar për vrasjen e dy kushërinjve dhe që kishte mbetur pa autor. Prokuroria e Burrelit vendosi të rihapë dosjen e ekzekutimit të Vladimir dhe Nikolin Haxhisë, djem xhaxhallarësh, nga fshati Baz i Matit. Prej vitesh nuk është mundur të gjendet autori, por tashmë, organi i akuzës është shprehur se ka një emër dhe një të arrestuar, kundër të cilit janë mbledhur provat dhe që dyshohet si autori i ngjarjes.
Ngjarja
Vladimir Haxhia dhe kushëriri i tij Nikolini, u vranë më 6 gusht 2001, në pritë, në një rrugicë në mes të fshatit Baz. Mendohet që shënjestër e kësaj goditjeje ishte Vladimiri, por plumbat zunë edhe Nikolinin. Pas hetimeve të kryera, të cilat nuk mundën të nxirrnin asnjë emër, u vendos mbyllja e çështjes me mbishkrimin “pa autor”. Por, shtatë vjet më pas, nisur dhe nga këmbëngulja e familjarëve të viktimave, Vladimir Daçi u cilësua si autor i vrasjes. Po ky person u vu në pranga nga uniformat blu, ndërsa prokurori i çështjes tha se këtë hetim po e ndjekin në mënyrë të detajuar bazuar në provat që mendojnë se i kanë të forta, për të vënë gishtin mbi vrasësin e vërtetë të Haxhiajve.
Familjarët
Me arrestimin e Vladimir Daçit, familjarët u shprehën se është gjetur personi që e ka kryer vrasjen e 6 gushtit 2001 në Baz, dhe për këtë kërkojnë të hetohet deri në fund për tërë rrethanat që çuan në këtë vrasje të dyfishtë, pasuar me vrasjen e mëtejshme të kryer nga vajza e tyre mbi një fëmijë të pafajshëm. Gjergj Haxhia, babai i viktimës Vladimir Haxhia, por dhe Gjok Haxhia, vëllai i viktimës tjetër, e lidhin vrasjen me një grabitje me pasojë, të ndodhur në vitin 2000, kur u burgosën tre persona, njerëz të afërt të këtij fisi. Gjatë kohës që zhvillohej gjyqi, personat e përfshirë në atë ngjarje debatuan duke bërë përgjegjës tjetër njeri. Në atë proces pati tre dënime me nga 12, 13 dhe 1 vit burg. Më pas, gjendja u përkeqësua deri në vrasjen e 6 gushtit 2001. Vrasja e dy kushërinjve ndodhi 150 metra larg shtëpisë së Vladimir Daçit. Që nga ajo ditë, Haxhiajt gjithnjë kanë akuzuar këtë të fundit për këtë vrasje të dyfishtë, por duke mos marrë përgjigje pozitive nga ana e organeve të hetimit apo të policisë.
Vrasja e fëmijës 10- vjeçar nga Vitjana
E ndodhur nën trysninë psikologjike të vrasjes të të vëllait dhe problemeve që vetëpërjetonte në fshatin Tarazh, ku ishte martuar, Vitjana Tarazhi vendos të vrasë fëmijën 10-vjeçar tëkushëririt të burrit, vrasje e kryer pikërisht ditën e 6 gushtit 2004, në trevjetorin e vrasjes së të vëllait. Ajo e realizoi këtë vrasje në kohën kur 10-vjeçari Gjok Tarazhi po luante me fëmijën e saj. Ajo i gënjeu fëmijët duke i futur thellë në pyll ku do të merrte dru zjarri. Por, sapo u fut në pyll, la djalin e saj disa metra më larg, duke e tërhequr me djallëzi Gjokën në një vend dushkor, ku e masakroi me sopatë në kokë e në qafë. Pasi kreu aktin, mori fëmijën e saj dhe u nis për tek shtëpia e prindërve në Baz, ku dhe tregoi për vrasjen e kryer duke u shprehur se kishte marr hak për vrasjen e vëllait. Por nga familja e Vitjanës, nuk u pranua se fisi Tarazhi kishte gisht në vrasjen e dyfishtë. Në të gjitha fazat e gjykimit Vitjana Tarazhi nuk ka shfaqur shenja pendese, përkundrazi duke u shprehur se kishte marrë gjakun e të vëllait. Për këtë krim monstruoz mbi një fëmijë, ajo u dënua me 25 vite burg, dhe po atje në burg lindi fëmijën e saj, një djalë që tashmë është në moshën 4 vjeç.