E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, rikthimi në tokën e vdekjes

Në fshatin e tragjedisë më të rëndë, të ndodhur në vendin tonë, banorët po tentojnë t’i rikthehen normalitetit

Një pjesë e banorëve po i japin dorën e fundit shtëpive. Familjarët e të vdekurve, të vetmit e pakthyer

TIRANË- Ata u kthyen sërish. Në fund të fundit, s’kishin nga të shkonin, veç të ktheheshin në tokën e ankthit të tyre më të madh, në Gërdec. Pasi u dëmshpërblyen nga shteti, kush më pak e kush më shumë, nisën të ndërtonin shtëpitë e tyre, duke mos ndërhyrë vetëm në themele. Të angazhuar në ndërtimin e shtëpive natë e ditë, tashmë pas rreth shtatë muaj, në Gërdec shihen vetëm pak gërmadha. Banorët e këtij fshati që ndodhet në periferi të Tiranës, e rikthyen edhe njëherë Gërdecin ashtu si para 15 marsit të këtij viti kur shpërthimi i fabrikës rrënoi gjithçka. Ka jo pak familje në këtë fshat të cilat janë ende të shpërndara në banesa me qira, deri në përfundimin e punimeve të shtëpive të tyre.

Në Gërdec

“Shtëpinë pothuajse e mbarova së rindërtuari dhe kjo sfilitje e krijuar nga shpërthimi i depos ndoshta do të harrohet, por vdekja e motrës kurrë”. Ramadan Sefi ishte një nga banorët e fshatit Gërdec, i cili u dëmtua nga shpërthimi jo vetëm materialisht. Ai humbi motrën e tij, ndërsa bashkëshorti i kësaj të fundit mbeti i plagosur rëndë. “Nëse do të gjendesha edhe vetë në krater, pasi isha i punësuar, por fatmirësisht atë ditë nuk shkova në punë, jo vetëm që do të kisha gjetur vdekjen, por do të rrezikohej edhe jeta e fëmijëve të mi, të cilëve iu gjenda pranë e i mbylla në një bunker pas shtëpisë”,- përpiqet të tregojë Ramadan Sefi për momentin e shpërthimit të depos së çarmatimit të municioneve. “Tashmë po punojmë natën e ditë për të mbaruar sa më shpejt shtëpinë, se familjen e kam me qira dhe nuk mund t’ia dalim gjatë kështu”, -tregon Sefi. Si ai ka edhe shumë kryefamiljarë të tjerë në Gërdec të cilët ndërtojnë shtëpitë për të rikthyer familjet. Pothuajse në të gjitha shtëpitë e Gërdecit, shihen punëtorë, që nuk ndalen për të përfunduar së më shpejt punimet.

Familjet e viktimave

Disa janë kthyer, por ata që humbën të afërmit ende nuk guxojnë. Janë familjet e 26 viktimave, të cilat fillimisht deklaruan se nuk do të ktheheshin më kurrë në Gërdec, aty ku humbën familjarët e tyre. Por ku të shkonin? Të gjithë banorët e Gërdecit të japin një përgjigje nëse i pyet për familjet e viktimave. “Disa janë kthyer, u sorollatën gjithandej, por nuk kishin ku të shkonin. Paratë që morën nga shteti nuk iu siguronin shtëpi në vend tjetër kështu që u detyruan të rindërtonin shtëpitë këtu në Gërdec. Një familje pranë kraterit humbi djalin e vetëm 20-vjeç dhe para disa ditësh, pashë babanë e djalit tek shtëpia e tij kishte ardhur për të rifilluar punimet” -tregon për “Shekullin” Ramadan Sefi. Por ka edhe familje që nuk kthehen kurrë. Njëra prej tyre humbi pesë pjesëtarë. Kjo ishte familja Deliu për të cilën gërdecarët tregojnë se nuk ka gjasa që kjo familje të jetojë sërish në Gërdec. Një tjetër familje ka nxjerrë në shitje shtëpinë e saj. “Një vajzë e vogël humbi krahun nga shpërthimi dhe familja e saj nuk kthehet më në Gërdec, ndërsa ka nxjerrë shtëpinë në shitje. Shkak ka qenë vajza e cila ka frikë të jetojë sërish këtu”, -tregoi për gazetën një tjetër banor i Gërdecit.

Familjarët e të vdekurve kanë tërhequr denoncimet

“Tërhoqa denoncimin për vdekjen e motrës se kisha frikë”

Më parë ishte një ndër shumë gërdecarë, të cilët denoncuan vdekjen e familjarëve të tyre, por u tërhoq nga denoncimi pas vdekjes së dëshmitarit kryesor të çështjes “Gërdeci”. “Unë isha një nga shumë personat që bëmë një denoncim për të gjetur fajtorët e vdekjes së familjarëve tanë, por tashmë jam tërhequr, pasi kam frikë. Motrën nuk ma kthen më askush. Kështu të mbroj familjen time dhe të mos kem frikë të më ndodhë gjë”,- tregon për gazetën Ramadan Sefi. “Shteti na shpërbleu për dëmin. Morëm një shumë parash, por ajo nuk mjaftonte për të rindërtuar shtëpinë, për të paguar qiranë sa të ndërtohej shtëpia, kështu kishim disa kursime që i kisha ruajtur nga emigracioni me të cilat po përfundoj shtëpinë”,- shton më tej Sefi. E rëndësishme tashmë për të është të rikthehet në normalitet. Të kthehet familja e tij në shtëpi dhe të çojë fëmijët në shkollë. Ndërsa familja e motrës së tij e cila humbi jetën teksa punonte në depon e çmontimit të armëve, është katandisur si mos me keq. Të paktën kështu tregon Sefi sipas të cilit shteti pagoi vetëm funeralin e motrës së tij dhe një shumë të vogël për bashkëshortin e kësaj të fundit i cili mbeti i plagosur.

SHKOLLA

Fëmijët, mësim në një banesë

Tragjedia e Gërdecit nuk la pa shkatërruar edhe shkollën e këtij fshati. Ajo ende nuk është restauruar dhe banorët nuk dinë të thonë se kur ajo mund të kthehet ashtu si ishte, duke treguar se ende nuk kanë nisur punimet. Ndërkohë që fëmijët e fshatit po mësojnë në një banesë, dhomat e së cilës janë improvizuar në klasa. “Druri i bukur”. Kështu e quajnë vendin ku ndodhet kjo banesë, banorët e fshatit Gërdec. Banesa i përket një familjeje e cila jeton në Itali, por ka pranuar që ta lëshojë për fëmijët e fshatit. Këta të fundit bëjnë shumë rrugë për të shkuar deri te “shkolla”. Ata lëvizin në grupe, ndërsa rruga që përshkojnë është siguruar për prindërit se nuk ka rrezik për predha apo diegore të mbetura nga marsi i këtij viti.

RREZIKU

Ushtarët pastrojnë edhe pas 7 muaj

Ushtarët gjenden ende në zonën e Gërdecit. Ata vazhdojnë pastrimin e zonës përreth kraterit, ndërsa ruajnë zonën e rrezikshme. “Ushtarët nuk janë larguar asnjëherë që pas shpërthimit. Ata vazhdojnë të pastrojnë zonën. Krateri por edhe disa shtëpi janë të rrethuara pasi janë ende zonë e rrezikshme. Madje disa familje nuk kanë mundur ende të nisin rindërtimin e banesave sepse se nuk i kanë lejuar për shkak se zona përbën ende rrezik. "Zonën e kraterit do ta kthejmë në zonë të sigurt. Qëllimi ynë është pastrimi i plotë i saj e cila do të zgjasë për rreth dy vjet. Në zonën përreth ka ende municione të paplasura dhe djegore të cilat rrezikojnë jetën e njerëzve. Ndaj dhe specialistët po punojnë për pastrimin e të gjithë zonës",- deklaruan për gazetën një muaj pas ngjarjes punonjësit. Por edhe pas 7 muaj ata thonë të njëjtën gjë, duke shtuar se pastrimi do të zgjasë ndoshta edhe një vit deri sa zona të japë sigurinë se nuk përbën asnjë rrezik për banorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›