E Shtunë, 31 Tetor 2026

Belgjika ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Arrin në 19 numri i vendeve që ratifikojnë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut
 
TIRANE - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ka përshëndetur vendimin e datës 29 janar 2009, të Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Belgjikës, e cila pas Senatit belg, ka ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Belgjika bëhet kështu vendi i 19-të anëtar që ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme thuhet se “ky vendim është shprehje e mbështetjes të vazhdueshme të Belgjikës për procesin e integrimit Euroatlantik të Shqipërisë dhe i shërben konsolidimit të mëtejshëm të sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor”.
Ministria e Punëve tё Jashtme e Republikës sё Shqipёrisё, duke falënderuar vendet anëtare të NATO-s që kanë ratifikuar Protokollet e Anëtarësimit të Shqipërisë, i siguron vendet anëtare të Aleancës se “Shqipëria do të vazhdojë e vendosur në rrugën e pakthyeshme të reformave, për të përmbushur me sukses angazhimet e saj dhe për të rritur më tej kontributin e saj në Aleancë në mbështetje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit”.
Gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se proceset e ratifikimit të Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë do të përfundojnë përpara Samitit të Strasburgut dhe Kehlit, në mënyrë që të dy vendet të bëhen anëtarë me të drejta të plota të NATO-s në këtë Samit.
Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet ratifikimin në seancë plenare, në unanimitet, nga Asambleja Kombëtare e Republikës së Francës të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, më 29 janar, duke i hapur rrugën ratifikimit nga ana e Senatit francez në datë 4 shkurt, si dhe inicimin e procedurave të ratifikimit të këtij protokolli, po më datë 29 janar, nga ana e Parlamentit të Republikës së Sllovenisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›