“Zbatimi i MSA-së, tregues i përparimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”

Grupi i Punës KE-Shqipëri diskuton zhvillimin e Shqipërisë drejt familjes evropiane
TIRANE - Komisioni Evropian mori në konsideratë përparimin e raportuar dhe e inkurajoi Shqipërinë të vazhdojë përpjekjet e saj për t’u përgatitur për hyrjen në fuqi të MSA-së. Nga ana e saj, pala shqiptare ka siguruar KE-në se do të vazhdojë të përmbushë detyrimet në kuadër të MSA-se.
Qëndrimi i KE-së ndaj Shqipërisë, u ripërsërit dy ditë më parë, më 29 janar, kur, Grupi i Punës i Komisionit Evropian dhe autoriteteve shqiptare mbajti një nga takimet e tij të rregullta për të shkëmbyer pikëpamjet mbi zhvillimet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së. Diskutimet u përqendruan në një sërë çështjesh që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Ndërmjetme nga Shqipëria dhe përgatitjet e saj për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në fushat e transportit, energjisë, mjedisit dhe zhvillimit rajonal.
Zhvillimet e fundit, planet qeveritare si edhe parashikimet buxhetore për transportin rrugor, hekurudhor, ajror, ujor dhe të kombinuar u prezantuan dhe u diskutuan në detaje.
Në fushën e energjisë, takimi debatoi zbatimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, efiçencën energjetike dhe përdorimin e burimeve të ripërtërishme, sigurinë bërthamore si edhe strategjitë për furnizimin e sigurt me energji.
Për sa i përket mjedisit, çështjet kryesore ishin zonat e nxehta të ndotjes në vend, strategjitë për ujin dhe higjienën, konventat ndërkombëtare mbi mbrojtjen e natyrës, mbledhja e mbeturinave etj. Në fund, Grupi i Punës mori në konsideratë çështje të zhvillimit rajonal si bashkëpunimi ndër-kufitar dhe kuadri i nevojshëm ligjor dhe institucional.
Komisioni Evropian mori në konsideratë përparimin e raportuar dhe e inkurajoi Shqipërinë të vazhdojë përpjekjet e saj për t’u përgatitur për hyrjen në fuqi të MSA-së. Një zbatim i kënaqshëm i MSA-së, duke filluar më çështjet tregtare të Marrëveshjes së Ndërmjetme, është i rëndësishëm për përparimin e mëtejshëm drejt BE-së. Për më tepër, përparime në fusha si transporti, energjia dhe mjedisi mund t’i shërbejnë ndjeshëm zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve të saj.
Komisioni theksoi se do të vazhdojë të luajë rolin e vet në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruara me Shqipërinë dhe më gjerë në procesin e Stabilizim-Asociimit. Autoritetet shqiptare e siguruan Komisionin se do të vazhdojnë të tregojnë vendosmëri në përmbushjen e detyrimeve që kanë ndërmarrë.