E Diel, 1 Nëntor 2026

Bella: Po nuk mundëm Gramozin, nuk jemi për superligë

Nga Elton Karaj

Mbrojtësi i Elbasanit, Aldo Bella, thekson se ekipi është i detyruar të fitojnë nesër për të mbetur pretendent 

Elbasanasit, pasi kanë kaluar Mamurrasin me sukses, duke u kualifikuar në kupë, janë përqendruar te Gramozi, kundërshtari i radhës në kampionat, që nesër vjen në stadiumin Ruzhdi Bizhuta. Është një ndeshje e fortë, por në Elbasan kanë besim se mund të marrin një fitore, që do të ishte shumë e rëndësishme në këtë moment për objektivin e sezonit.

Grupi është përgatitur me seriozitet këto ditë dhe duket gati për këtë sfidë, që ka vështirësitë e veta, pasi stafi teknik nuk ka në dispozicion të skualifikuarit Kaçuli dhe Gava, por edhe Mateos Toçin. Verdheblutë janë të detyruar të luajnë vetëm për fitore dhe në emër të grupit këtë e thotë mbrojtësi Aldo Bella, një nga më të mirët në fushë në ndeshjen e kupës me Mamurrasin, ku Elbasani fitoi 3-1.

Nuk ka dyshim që do të luajmë vetëm për fitore me Gramozin, sepse mjaft pikë kemi shpërdoruar tri javët e para. Ekipi shkon në këtë ndeshje me moralin e duhur dhe, pavarësisht mungesave, mendoj se në fund do të jemi ne fituesit. Jemi të ndërgjegjshëm se kjo ndeshje do të jetë mjaft e vështirë, pasi edhe Gramozi synon superligën, por kam besim se 3 pikët do ti takojnë Elbasanit.

Duke qenë se luajmë para tifozëve tanë, përveç fitores, duhet të zhvillojmë një lojë të mirë dhe me grupin që kemi besoj se do ta bëjmë këtë gjë, – është shprehur mes të tjerash Bella, i cili këtë kampionat po luan në krahun e djathtë të mbrojtjes, edhe pse roli i tij natyral është ai i qendërmbrojtësit. Bella thekson se është i gatshëm të luajë kudo për të mirën e ekipit, mjafton që ai të fitojë.

Prova reale Futbollisti elbasanas e konsideron 90-minutëshin me kolonjarët një provë reale për ekipin e tij. Sipas tij, Elbasani duhet të shfaqë forcën e vërtetë në këtë ndeshje, duke treguar se është pretendent serioz dhe mund të fitojë edhe kur ka mungesa: Në këtë ndeshje do të demostrojmë forcën tonë reale, pavarësisht se na duhet të bëjmë pa dy nga lojtarët tanë më të mirë.

Mendoj se kjo gjë nuk duhet të na pengojë të fitojmë, sepse një ekip pretendent nuk mund të kushtëzohet nga mungesat. Do të ketë raste plot, kur ekipi nuk do të jetë i plotë, ndaj dhe duhet të jemi të përgatitur për çdo situatë. Dua tu bëj thirrje shokëve të luajmë të përqendruar dhe të tregojmë dhëmbët.

Duke mposhtur Gramozin, Elbasani do të bindë se është një nga pretendentët kryesorë për superligën, në të kundërt ky objektiv është shumë larg, ka përfunduar mbrojtësi verdheblu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›