Gaxhaj: Luftëtari është në pozicion komod, i merr pikë edhe Besëlidhjes
Gjirokastritët kanë kursyer disa nga titullarët në kupë dhe shkojnë në Lezhë me pretendimin për fitoren e radhës
Luftëtari luan nesër transfertën e dytë, që natyrisht është më e vështirë se ajo e Himarës. Gjirokastritët shkojnë në Lezhë me autoritetin e ekipit kryesues dhe për ta ka rëndësi që të mos humbasin ndaj Besëlidhjes rivale. Gjendja psikologjike e futbollistëve është mjaft e mirë pas 3 fitoreve radhazi dhe kualifikimit në kupë, kështu që edhe për ndeshjen e nesërme shpresohet se do të kalohet me sukses.
Për këtë sfidë trajneri Mustafa Hysi ka kursyer disa nga titullarët, në mënyrë që Devolli & Co të jenë sa më të freskët për ta përballuar Besëlidhjen. Luftëtari ka ecur mjaft mirë, duke marrë maksimumin e pikëve, edhe pse me fitore të ngushta, por, siç e kanë theksuar edhe vetë drejtuesit edhe futbollistët e tij, rëndësi kanë pikët. Lezha është një rast i mirë për të treguar se Luftëtari e meriton kreun.
Gaxhaj Edhe mbrojtësi Bashkim Gaxhaj është një nga ata që qëndruan në Gjirokastër të mërkurën, duke u përgatitur bashkë me peshat e rënda për ndeshjen e nesërme. Ai thekson se Luftëtari i këtij sezoni është i aftë të përballë çdo kundërshtar edhe në transfertë, kështu që në Lezhë do të synohet fitorja e radhës:
Me Besëlidhjen do të përpiqemi të ruajmë ritmin e 3 javëve të para, pra pretendojmë fitoren. Besëlidhja është një rival i drejtpërdrejtë dhe patjetër që do të synojë të na mundë, por ne kemi shanset tona dhe në këtë ndeshje jemi më komodë se lezhjanët, sepse nuk kemi presion.
Gjendja e ekipit është mjaft e mirë, sidomos edhe pas kualifikimit në kupë, ku eliminuam një kundërshtar nga superliga, kështu që të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për vlerat që ka Luftëtari aktual. Në Lezhë mendoj se do të jetë një sfidë e hapur, ku ne do të shfrytëzojmë mundësitë tona.
Tifozëve ua mbush syrin ky ekip
Kualifikimi i Luftëtarit në kupë përballë një ekipi si Tomori, që merr pjesë në superligë, i ka bindur tifozët gjirokastritë se ky është sezoni, që ata aq shumë e kanë pritur. Në fakt, nuk është se Luftëtari e kishte nënvlerësuar kupën, por pozitiv është fakti se në ndeshjen e kthimit mori rezultat pozitiv edhe me lojtarët e formacionit të dytë, që do të thotë se ekipi është top.
Ecuria shumë e mirë në këtë fillim të sezonit i bën tifozët të besojnë se kthimi në superligë është vetëm çështje kohe, kështu që edhe në Lezhë ata pritet të jenë të pranishëm për ta mbështetur ekipin.
