Nela: Presioni është mbi Elbasanin, të përfitojmë
Në kampin kolonjar ka besim për një rezultat pozotiv në Elbasan. Futbollistët janë mjaft të karikuar për këtë transfertë, nga më të vështirat e kampionatit, duke ditur se luhet në fushën e një ekipi të rënë nga superliga, që ka fitur edhe tituj kampionë në të. Në këto kushte, një pikë do të konsiderohej fitore për Gramozin, që vjen pas humbjes 2-1 në Gramsh.
Futbollistët kanë marrë udhëzimet e duhura nga trajneri Qirjako, i cili mendon se kjo sfidë, ashtu si ajo e javës së parë me Besën, mund të kalohet me sukses. Sulmuesi kryesor i ekipit kolonjar, Kejdi Nela, i cili shënoi në ndeshjen e kupës me Apoloninë golin e nderit, duke vlerësuar momentin e mirë që po kalon grupi i futbollistëve, shpreson për një barazim në Ruzhdi Bizhuta.
Në dy-tri javët e para kemi luajtur si një grup solid, prandaj edhe trajneri Qirjako na ka kërkuar që të përsëritim të njëjtën lojë, sidomos atë të javës së parë. Fakti që do të luajmë në transfertë dhe për më tepër në Elbasan, e tregon qartë se sa e vështirë është kjo ndeshje, por ne nuk mund të shkojmë të dorëzuar atje.
Elbasani është ndër emrat më të mëdhenj jo vetëm të kategorisë së parë, ndaj dhe ne duhet të jemi në 100% të mundësive tona për të shpresuar për pikë. Pozitiv është fakti se në Elbasan luhet futboll i ndershëm dhe korrekt, kështu që kemi besim se do të luajmë mirë dhe do të marrim pikë.
Ndoshta Elbasani është nën presion dhe do të bëjë gjithçka për të fituar, por ne duhet të përfitojmë nga kjo situatë. Duhet të tregohemi të zgjuar dhe ta godasim kundërshtarin në befasi, – ka thënë kryeqytetasi i Gramozit, Kejdi Nela.
