Bello: Administrata Publike prioritet i qeverisë
22/02/2005 Dje u zhvillua, në Athinë, takimi i ministrave të Administratës Publike dhe të Drejtësisë, i vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi. Me ftesë të përbashkët të ministrit të Brendshëm, Administatës Publike dhe Decentralizimit dhe ministrit të Drejtësisë së Greqisë, me cilësinë e vendit që mban presidencën e radhës së organizatës, mori pjesë edhe një delegacion i Qeverisë shqiptare, i kryesuar nga ministri i Shtetit për Koordinim, Marko Bello. Përfaqësuesi i Shqipërisë vuri në dukje ecurinë e reformës në administratën publike, si një ndër prioritetet e Qeverisë shqiptare, si dhe progresin e shënuar në këtë aspekt. Si rezultat i kësaj reforme të thellë dhe të shumanëshme, tashmë kemi arritur të krijojmë një administratë më të thjeshtë, më funksionale dhe profesionale si dhe me misione dhe përgjegjësi të mirëpërcaktuara. Duke u ndalur në këtë drejtim, Bello theksoi se reforma për mirëqeverisje nënkupton jo vetëm “qeverisje demokratike, por në një kuptim më të gjerë një qeverisje efektive dhe efikase me institucione demokratike të afta për t’u përballur me sfidat e zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë”. Në përfundim të ministerialit, nga pjesëmarrësit në këtë takim u adoptua një deklaratë e përbashkët e vendeve anëtare të BEDZ-it, mbi bashkëpunimin në fushën e Mirëqeverisjes dhe Rinovimit të Institucioneve. Në këtë deklaratë theksohet rëndësia që ka bashkëpunimi në këtë fushë si esenciale në përmbushjen e objektivave të përbashkët të organizatës. Nxitja e dialogut të vendeve në drejtim të politikëbërjes dhe reformave në administratën publike do të përbëjë një nga fokuset e organizatës në të ardhmen.