E Diel, 1 Nëntor 2026

Republikanët, kushte Berishës për fondin e ish-pronarëve

Diskutimi i projektbuxhetit 2009 ka sjellë sërish në vëmendjen e republikanëve çështjen e fondit për kompensimin e ish-pronarëve. Në krahasim me vitin 2008, qeveria e ka rritur fondin vetëm me 100 milionë lekë, duke e bërë atë për vitin 2009 në masën e 600 milionë lekëve. Për Partinë Republikane, e cila mbron interesat e ish-pronarëve, është e pajustifikueshme masa e fondit që ka vendosur qeveria për vitin 2009. Duke pasur parasysh faturën totale që shkon rreth 4,5 miliardë dollarë për kompensimin e të gjithë ish-pronarëve, Arjan Madhi, kryetari i grupit parlamentar të PR-së, e cilëson fondin prej 6 milionë dollarësh tepër të vogël. "Nëse qeveria ecën me këtë ritëm, vota jonë për buxhetin 2009 do të jetë kundër. Aktualisht jemi duke negociuar për rritjen e fondit për ish-pronarët, në varësi të rritjes së të ardhurave. Nuk mund të them për momentin sesa mund të jetë rritja, por negociatat po vijojnë çdo ditë", u shpreh Madhi për gazetën "Shqip". Duke rikujtuar faktin se PR e abstenoi me 6 vota buxhetin 2008, Madhi tha se i njëjti qëndrim do të mbahet edhe për buxhetin 2009. "Qeveria deklaron se ka rritje të të ardhurave në projektbuxhetin 2009. Në varësi të kësaj rritjeje do të negociohet edhe për shtimin e fondit për ish-pronarët", vijoi kreu i grupit parlamentar. Vetë PR-ja e ka kuptuar se ritmi i deritanishëm i kompensimit të ish-pronarëve është tepër i ngadaltë, i kushtëzuar nga fondi i vogël që akordon qeveria. Për vitin 2009, zëri për kompensimin e ish-pronarëve është rreth 6 milionë dollarë, ndërsa e gjithë fatura totale shkon diku te 4,5 miliardë dollarë, në një kohë kur 2009 është viti i pestë që kryhet procesi.

Përplasja

Për të vetmen pikë ku republikanët nuk pajtohen me demokratët është pikërisht çështja e ish-pronarëve. Në të gjitha takimet dhe konferencat e bëra nga republikanët, deklarohet se kjo çështje konsiderohet tepër e rëndësishme për ta, duke paralajmëruar se nuk do ta tolerojnë Kryeministrin Berisha në rast të mosrishikimit të fondit. Procesi i kompensimit të ish-pronarëve po ecën mjaft ngadalë, si në aspektin teknik, ashtu dhe në atë financiar. Qeveria, në vështirësi për gjetjen e fondeve, po shikon të tjera variante për zgjidhjen e çështjes, duke krijuar një fond fizik për kompensimin. Edhe në këtë vit po shihen probleme. Kur kanë mbetur më pak se 2 muaj, qeveria me anë të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk ka shpërndarë ende fondin 5 milionë dollarë që i takon 2008, duke rrezikuar djegien e shumës. Zgjidhja në kohë e problemit të ish-pronarëve shikohet me mjaft pesimizëm kur mëson faktin se për tri vitet në vijim qeveria do ta lërë të pandryshuar fondin e kompensimit monetar, me vetëm 6 milionë dollarë. Megjithatë, edhe pse PR votoi kundër buxhetin e shtetit 2008, raportet me demokratët në qeveri nuk pësuan lëkundje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›