E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Alb-Demil", 2 mijë ton armatim drejt Afganistanit

 

Doganat regjistrojnë vetëm 3.2 milionë dollarë eksport në vlerë për 2007

 

Afganistani ka qenë destinacioni kryesor i armëve të tregtuara gjatë 14 muajve të fundit

Armët shqiptare, të paktën ajo pjesë që figuron në regjistrat e doganës, kanë bërë xhiron e botës. Në listën e shteteve që kanë marrë armë nga Shqipëria përfshihen Afganistani, Argjentina, por edhe vende të zhvilluara si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë importuar nga Shqipërua disa dërgesa armësh dhe municionesh. Dy janë kompanitë që janë marrë me këtë aktivitet gjatë kësaj periudhe, kompania MEICO me pronar shtetin, dhe ajo "Alb Demil", me pronar Mihal Delijorgjin. Viti 2007 dhe muajt e parë të vitit 2008 kanë rezultuar me një volum të madh tregtar, veçanërisht për kompaninë private "Alb Demil", e cila ka marrë për qëllime tregtare gjysmën e materialeve të nxjerra nga depot e armëve në vend dhe gjithashtu, në dogana, kjo kompani rezulton se ka shitur gjysmën e sasisë së këtij malli, jashtë kufijve të vendit. Rreth 2 mijë ton është eksporti i realizuar nga ana e firmës "Alb Demil" në 2007, ndërkohë që sasia e regjistruar e tërhequr nga ana e kësaj firmë, për vitin në fjalë, kalon 6 mijë ton.

***

Sipas të dhënave të doganave, kompania "Alb Demil" ka eksportuar gjatë vitit 2007 dhe 2 muajve të parë të vitit 2008, 2 mijë ton dinamit, barut, pajisje të tjera ushtarake, si dhe skrap. Sipas të dhënave të bëra publike nga ana e doganave, destinacioni i armëve, bombave dhe materialeve të tjera luftarake ka pasur në epiqendër të tij Afganistanin. Është zgjedhur nga ana e kësaj firme për eksport Afganistani, në vitin 2007, jo për shkak të industrisë, por për qëllime të luftës pasi në këtë vend, këto armë kanë një përdorim të shpeshtë. Gjatë vitit 2007 dhe muajve të parë të vitit 2008, derisa të ndodhte tragjedia e Gërdecit, sasia e eksportit në total regjistruar në dogana për dinamit dhe barutin ka regjistruar 610 ton, nga të cilat rreth 250 ton janë eksportuar nga ana e firmës "Alb Demil" dhe pjesa tjetër nga ana e kompanisë MEICO. Përsa i përket eksporti të skrapit që ka ardhur nga demontimi i predhave dhe pajisjeve ushtarake, firma "Alb Demil" ka mundur që të shesë jashtë kufijve një sasi që shkon në 1 800 ton dhe që llogaritet t'i ketë sjellë kësaj kompani fitime prej miliona eurosh, por që në dogana rezultojnë me një vlerë tepër të ulët.

***

Lulëzimi i tregtisë së armëve në vitet 2007-2008 është një fenomen që pavarësisht fshehtësisë në të cilin është kryer, është evidentuar nga media edhe para se të ndodhte tragjedia e Gërdecit. Por rritja e deklarimeve në dogana për një fluks në rritje të tregtisë së vdekjes, nuk shqetësoi organizatorët e saj që kishin futur nën ombrellën e trafikut një pjesë të mirë të institucioneve. Doganat kanë qenë edhe institucioni i fundit që janë përfolur për t'u bërë "kurban" i qeverisë në këtë skandal të përmasave botërore. Gjatë kësaj periudhe jo vetëm që drejt fabrikës së Delijorgjit kanë shkuar një sasi tepër e madhe armësh, në krahasim me mesataren e 10 viteve të fundit, por gjatë kësaj periudhe, në drejtim të Gërdecit kanë shkuar një sasi tepër e madhe e municioneve që ndodhen në depot e ushtrisë. Duke mos patur asnjë lloj kapaciteti dhe mundësi teknologjike dhe magazinimi të këtyre municioneve, ndodhi edhe tragjedia e 15 marsit, e cila solli një numër të madh viktimash të pafajshme. Gjysma e sasisë së armëve, firmosur në emër të "Southern Ammunition Company", por që në realitet ishin në dispozicion të "Alb-Demil" ishin fishekë të kalibrit të vogël, armatim që përdoret për armët e lehta. Ndërsa pjesa tjetër e këtyre municioneve i përkisnin predhave të kalibrit të madh. Këto ishin pikërisht edhe municionet që po demontoheshin në mënyrën më primitive të mundshme, gjatë muajve të parë të vitit 2008, duke kulmuar me tragjedinë e shkaktuar nga një shpërthim me një fuqi atomike.

+++

Afganistani, Irani, Argjentina, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara destinacionet e armëve dhe pajisjeve

Armët, zgjerohet harta e trafikut

Armët dhe pajisjet e tjera ushtarake kanë zgjeruar hartën e tyre të shitjeve, që fillon nga Irani, Afganistani e deri tek vende të zhvilluara si Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që prej vitit 2006 e deri në muajt e parë të vitit 2008 volumi tregtar, sipas doganave, në zërat e shitjes së armëve ka njohur vetëm rritje. Gjatë vitit 2006, sipas të dhënave të doganave ka qenë Gjeorgjia ajo që ka paguar rreth 3 milionë dollarë për armët shqiptare. Pas saj, sërish për këtë vit renditet edhe Republika Islamike e Iranit dhe Maqedonia. Por në vitin 2007 termat e tregtisë kanë ndryshuar, duke qenë të orientuara në drejtim të Afganistanit. Sipas të dhënave të doganave shqiptare, që kanë vlerësuar sipas vlerave të referencës këtë mall, Afganistani ka paguar rreth 2 milionë dollarë për armët e blera në Shqipëri gjatë kësaj periudhe.

***

Duke mos përfshirë në këtë llogaritje 3-mujorin e fundit të vitit 2007, në harkun kohor të dy viteve Shqipëria ka eksportuar rreth 8 milionë USD armatime të llojeve të ndryshme. Tregtimi i këtyre mallrave, që sipas bilancit tregtar kapin një vlerë rreth 8 milionë dollarë, në vitin 2006 dhe 2007, është me një rritje të ndjeshme nëse krahasohet me vitet e tjera të tranzicionit. Referuar të dhënave tregtare në vite, zëri "Armë dhe municione" me gjithë artikujt e tjerë ndihmës të makinës ushtarake ka pësuar një rritje edhe në vitin 2007, krahasuar me vitin 2006. Trendi i eksporteve të kësaj kategorie mallrash ka një ndryshim të madh në harkun kohor të 3-mujorëve, nëse ata krahasohen me vitin 2006. Por ka qenë vetë qeveria dhe kreu i saj Berisha që ka sulmuar doganat, duke i bërë ato përgjegjëse dhe pjesë të këtij trafiku.

***

Shqipëria ka eksportuar armë edhe gjatë viteve të tjera të tranzicionit, por sasitë e eksportuara kanë qenë në nivele të ulëta. Referuar bilancit tregtar të vendit në vitin 1996, eksportet e kësaj kategorie të mallrave rezultojnë në vlerë 500 mijë euro, gati 6 herë më pak se një 6-mujor i viti 2007. Përsa i përket viteve të tjerë, deri në 2000, Shqipëria nuk ka kryer tregti armësh, të paktën përsa i përket zërit të eksporteve të kësaj kategorie. Në vitin 2000, referuar të dhënave të tregtisë me jashtë, kemi një eksport të këtyre mallrave, që shkon në një vlerë 800 mijë euro. Nga viti 2001 deri në 2005-ën, vazhdimisht ka pasur eksport jashtë vendit të materialit ushtarak, por në shifra që luhaten nga 300.000 euro, në vitin 2003; në 700.000 euro, në vitin 2002. Me një mesatare prej 550.000 eurosh në vit.

Kjo tendencë duket se ka ndryshuar ndjeshëm në vitin 2007. Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, Shqipëria ka kaluar në një shifër shumë më të lartë të eksporteve të saj të materialit ushtarak, që arrin 7 herë më shumë nivelin e një viti më parë. Nëse i referohemi raporti të publikuar nga Qendra e Tregtisë me Jashtë (ACIT), eksporti i armëve gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2007 është një nga mallrat që ka pësuar rritjen më të madhe. Por ka qenë vetë kryeministri Berisha që për të shkarkuar një pjesë të fajit për tragjedinë, ka futur në valle edhe doganat, duke i vlerësuar ato si një strukturë të përfshirë në këtë trafik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›