E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, show me fondin e Gërdecit

 

Financat deklarojnë se do bllokojnë fonde shpenzimesh, për një shpenzim vetëm 1.5 miliardë

 

Shfaqje jo vetën me dhënien e kartmonedhave cash para kamerave, por tashmë edhe me vlerën e fondit total për rindërtimin e Gërdecit, që sipas qeverisë shkon në 1.5 miliardë lekë. Ka qenë zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu që gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se pavarësisht se ky fond mbetet i vogël, nëse krahasohet me Buxhetin e Shtetit, ai përsëri sjell probleme nëse nuk ka realizim të të ardhurave. Kështu, nëse kjo ndodh, do të ketë bllokim në zëra të caktuar të shpenzimeve në ministritë e linjës. Duke patur parasysh se ky fond nuk është më i madh se pasuria e bllokuar e Mihal Delijorgjit dhe të tjerave, të përfshirë në këtë trafik, duket se financat janë duke bërë një show me paratë e këtyre fatkeqëve.

***

Fondi për rindërtimin e Gërdecit i akorduar vetëm pak ditë më parë nga qeveria është rreth 19 milionë dollarë, duke mos zënë as 0.5 për qind të të ardhurave në buxhet që vijnë nga taksat. Madje, shifra është 5 herë më e vogël se të ardhurat që u mblodhën nga taksat shtesë mbi pagën, apo akcizat që sollën një shtesë të re gjatë 2007 dhe 2008. Në ditët e para të tragjedisë, qeveria rriti me anë të deklaratave dëmshpërblimin, duke bërë të ditur se ai do të ishte më shumë se 6 miliardë lekë, por pas vlerësimeve ky fond mbërriti vetëm në 1.5 miliardë lekë, duke qenë 4 herë më i ulët se fondi i lënë në buxhet pikërisht si kontigjencë për të tilla raste emergjente. Sigurisht, jo tragjedi të këtyre përmasave, ku numri i madh i viktimave nuk mundet që të mbyllet me asnjë lloj shifre financiare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›