E Diel, 1 Nëntor 2026

Bello: Duhet të rriten kompetencat e Kongresit

Ben Blushi dhe mbështetësit e tij zbardhin platformën me të cilën do të paraqiten në Kongresin e 29 gushtit të Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për dhjetë pika të cilat kryesisht synojnë ndryshime në statutin e partisë dhe që vërtiten rreth detyrimeve dhe kompetencave që ka kryetari i partisë. Marko Bello, një ndër mbështetësit e kësaj platforme deklaroi dje se kryetari duhet të jetë në krye të listës së kandidatëve dhe në rast se i ndërpritet mandati të mos ketë të drejtë rikandidimi. "Përcaktohet shumë qartë në statut çdo të thotë ndërprerje mandati, sepse me sa duket në Shqipëri njerëzit kanë nevojë për detaje dhe pse ndonjëherë djalli fshihet pas detajeve. Të jetë një kusht i padiskutueshëm përfshirja në listën e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë të liderit të partisë apo të udhëheqësit të Partisë Socialiste", tha Bello. Ai sqaroi se Kongresi, i cili duhet të ketë kompetenca në programin e PS, ta ratifikojë programin elektoral qeverisës të PS dhe sidomos t‘i japë vulën përfundimtare listës së kandidatëve të PS dhe jo t‘i lihet në dorë vetëm një lideri që mund të zgjedhë miqtë dhe shokët e tij, dhe në momentin e fundit mund të marrë njerëz dhe nga rruga për t‘i bërë deputetë. Dokumenti 10 pikësh do të sigurojë përkrahjen e të paktën 1/3 së Kongresit, por gara do të jetë e vështirë. Sipas Bellos, partia ndodhet totalisht në duart e Edi Rames, i cili ka marrë dhe kontrollin e të gjithë strukturave të partisë. "Lideri është kapur pas kolltukut dhe mendon se është i pazëvendësueshëm, apo se e do shumë baza, e cila nëpërmjet peticioneve kërkon që ai të mbetet në krye të partisë. Gjatë katër viteve u vunë re deformime të thella në PS në drejtimin e saj, gradualisht po tentohej t‘i jepej forma e PD-së, ku askush nuk pipëtin dhe flet vetëm lideri", tha ai.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›