E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesmeni dhunon dy gra të verbra

 

zirina llambro

Një akt kafshëror. Asnjë përkufizim tjetër nuk mund t’i shkojë për shtat asaj që ndodhi dje përpara Kryeministrisë. Gjatë protestës së të verbërve, dy gra të moshuara u goditën me grushte në kokë, në sy të dhjetëra dëshmitarëve. Askush nuk reagoi. Të vetmit ishin punonjësit e gardës, që ruajnë hyrjen e institucionit. Por jo më pak i rëndë ishte veprimi i tyre.  Personit që ushtroi dhunë i rrahën shpatullat dhe kaluan gjithçka me një të qeshur të shtirë. Vetëm pas transmetimit të pamjeve tronditëse në mediat vizive u vu në lëvizje Policia. Autori i dhunës mësohet se është biznesmeni i furrave të bukës, Pëllumb Borshi 47 vjeç. Ai u shoqërua pasdite në Policinë e Tiranës nga Sektori i Hetimit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. Ministria e Brendshme sqaroi në një deklaratë për mediat se autori i dhunës, nuk ishte efektiv policie dhe as punonjës i Gardës së Republikës. Sipas këtij dikasteri, biznesmeni Pëllumb Borshi, ishte duke shkuar për një takim në zyrën e prokurimeve brenda godinës së Kryeministrisë, në kohën kur të verbrit po protestonin pranë ndërtesës qeveritare. Sipërmarrësi ka kërkuar t’i lejohej kalimi por e ka pasur të pamundur të çajë radhën e protestuesve. Pa e menduar dy herë ka ushtruar dhunë mbi dy të moshuarat që kishte pranë e më pas është larguar. “Ndaj këtij personi organet e Ministrisë së Brendshme do të ngrenë padi penale, si për dhunën e ushtruar ndaj një personi tjetër, ashtu dhe për pengimin e kundraligjshëm të një proteste paqësore”, sqarohet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme. Sipas saj, shoqata e të verbërve nuk ka dërguar asnjë njoftim zyrtar për protestën.
Protesta e paralajmëruar
Nga sa bëjnë me dije drejtuesit e shoqatës, për protestën e  djeshme, shoqata ishte paralajmëruar që më parë. Të lidhur me litarë, përfaqësuesit e saj u grumbulluan përpara Kryeministrisë në mëngjes rreth orës 7:30.  Tubimi ishte paqësor madje dhe forcat e rendit nuk kanë ndërhyrë, deri në momentin kur biznesmeni ushtroi dhunë ndaj tyre. Të verbrit kanë disa muaj që i kërkojnë qeverisë të plotësojë kërkesat e tyre. Ato kanë të bëjnë me rritje të pagesës, përjashtim nga taksat si dhe mundësi për strehim. Mbi të gjitha, ata kërkojnë zbatimin e ligjit për të verbrit. Sipas tyre, ky ligj është shkelur duke ndryshuar masën e pagesës për ta. Janë 10 mijë të verbër në të gjithë vendin që kanë firmosur peticionin, dërguar të gjitha institucioneve përkatëse. Përfaqësuesit e tyre kanë qëndruar deri pasdite vonë përpara dyerve të Kryeministrisë. Kreu i shoqatës, Sinan Tafaj tha për mediat se protesta do të vazhdojë edhe sot. ”Nëse nuk merren parasysh kërkesat tona, ne do të futemi në grevë urie”, tha Tafaj. Ai e quajti të turpshme dhunën e ushtruar  ndaj të verbërve dhe kërkoi që autori të ndëshkohej nga organet kompetente. Që prej disa muajsh të verbrit kanë nisur protestat në disa qytete të vendit dhe në Tiranë, por pa arritur të marrin asnjë zgjidhje.

PS: Akt i turpshëm
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj protestuesve të verbër përpara Kryeministrisë. Rama theksoi indinjatën e tij ndaj aktit të shëmtuar, ndërkohë që akuzoi qeverinë për paaftësi në zgjidhjen e problemeve të njerëzve në nevojë. “Kjo qeveri, e paaftë për të zgjidhur hallet e njerëzve në nevojë, dhe njëkohësisht e pandjeshme për t’i qarë këto halle, së paku duke u njohur atyre njerëzve dinjitetin, është shëmbëlltyra e fundit e një politike të vjetër”, theksoi  kryesocialisti në deklaratën e tij.

Kryeministria: Rama shpif
“Të vërtetën e këtij incidenti e di më mirë se kushdo tjetër vetë Edi Rama, i cili edhe pasi e mori vesh se policia ka identifikuar autorin e incidentit të turpshëm, vrapoi të dilte në konferencë për shtyp për të lëshuar shpifjet e radhës përpara publikut”, këtë deklaratë bëri dje zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani. Ajo shtoi se këto incidente janë vërtet të turpshme e të dënueshme, por po aq e turpshme është rrahja dhe nxjerrja në rrugë e nënës me rroba gjumi, apo goditja me grushte në lokale publike e bashkëshortes së radhës.

LSI: Garda të reagonte
Aktin e shëmtuar që ndodhi dje e ka dënuar edhe LSI. “Jemi tejet të shqetësuar që shteti jo vetëm që nuk denjon të takohet me qytetarët e tij, por ai as nuk kujdeset për sigurinë e tyre, kur ata kërkojnë të drejtat e mohuara”, u shpreh zëdhënësi i LSI, Ralf Gjoni. Sipas tij, ndërkohë që të verbrit në Shqipëri përfitojnë vetëm 8600 lekë në muaj, qeveria shqiptare kërkon t’i vjedhë kësaj shtrese nevojtare një pjesë të të ardhurave, duke rritur taksat. “Akoma më shqetësues është fakti që garda pranë Kryeministrisë as që nuk tentoi ta frenonte shkaktarin e kësaj dhune”, tha Gjoni.

Ministria e Punës: Kërkesat të pabazuara

Të verbërit patën dje edhe një takim në Ministrinë e Punës, por nuk morën përgjigje pozitive ndaj kërkojnë me çdo kusht takim me Kryeministrin. “Pretendimi i ngritur prej tyre, se mënyra e trajtimit nuk ka ndryshuar, nuk qëndron. Sot të verbërit marrin 8700 lekë në muaj dhe kemi nisur procedurat që kjo pagesë të shkojë 9800”, thotë zëdhënësja e Ministrisë së Punës, Alma Lahe. Ajo shtoi se kërkesa e Shoqatës, sipas së cilës, është shkelur neni 5, i Ligjit 8098, datë 28.03.1996, është i padrejtë  pasi ky ligj përcakton se të verbërit marrin një pagesë shtesë, për shkak të verbërisë në masën e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. “Përsa i përket kërkesave të tjera, si ato për strehimin dhe përjashtimin nga taksat, Ministria e Punës ka kontaktuar me institucionet përkatëse. Në prioritetet e Ligjit 9232, datë 13.05.2004, është përfshirë kategoria e të verbërve. Në njërin prej programeve sociale të strehimit është parashikuar që për këtë kategori të zbatohet një bonus qiraje më i lartë, deri në 75%”, tha zëdhënësja.

Kërkesat

    Të vihet në zbatim pasi është shkelur neni 5, i Ligjit 8098, datë 28.03.1996, sipas së cilit duhet të ndryshojë masa e pagesës për të verbrit. Ajo sipas tyre nuk ka ndryshuar.

    Vendimi i vitit 2008 ka ndryshuar mënyrën e llogaritjes së pagesës së paaftësisë për të verbrit, çka ata e kundërshtojnë. 

    Sipas të verbërve, mundësitë e strehimit për këtë kategori kanë qenë minimale dhe nuk u është dhënë asnjë prioritet.

    Shoqata kërkon përjashtimin nga taksat kombëtare

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›