Vendimi për Gërdecin,zbardhet dialogu mes Berishës, Mediut e Bodes në mbledhjen e Qeverisë
Trazhgim Sokolaj
Vendimi i Qeverisë shqiptare që i hapi rrugën demontimit të municioneve në Gërdec, në vitin 2007, ka kaluar përmes debatesh të ashpra. Ministria e Mbrojtjes me firmën e Fatmir Mediut, ka dërguar projektvendimin e parë në Qeveri, për miratim në shkurt 2007. Projektvendimi i parë me titull “Për Procedurën e çmontimit, demilitarizimit e tjetërsimit të një sasie prej municioneve të Forcave të Armatosura, të dalë nga armatimi e përdorimi, me kompaninë amerikane “Southern Ammunition Company”, u refuzua nga Qeveria. Procesverbali i mbledhjes së shkurtit 2007, tregon se kundërshtues i projektvendimit të parë ka qenë ministri i Financave Ridvan Bode madje edhe vetë Kryeministri Berisha. Thelbi i kundërshtimeve ishte se Qeveria nuk mund të shprehë në vendimin e saj, kompaninë që do të merrte të drejtën e demontimit të municioneve, të cilën Ministria e Mbrojtjes, e kishte përcaktuar para vendimmarrjes së Qeverisë, duke thënë se subjekti do të ishte “Southern Ammunition”. Pas refuzimit të Qeverisë në shkurt 2007, projektvendimi u kthye për ripunim dhe në mars të po atij viti, Ministria e Mbrojtjes e ridërgoi në Qeveri projekt-VKM-në duke hequr nga titulli i tij emrin e kompanisë amerikane “SAC”, e cila ishte bërë ortake me Mihal Delijorgjin për të vazhduar aktivitetin në Gërdec. Procesverbali që botohet sot nga gazeta “Panorama” është mbajtur në mbledhjen e Qeverisë më datë 14 mars 2007, kur projektvendimi i Ministrisë së Mbrojtjes, u miratua mes debatesh dhe me ndryshimet e kërkuara nga Ministri i Financave Ridvan Bode dhe Kryeministri Berisha. Nga procesverbali i diskutimeve në mbledhjen e Qeverisë duket se objekt debati kanë qenë dy pika kryesore, çmimet e shitjes së municioneve tek kompanie private si dhe masa e përfitimit të ndërmarrjes MEICO nga këto transaksione. Ministri i Financave Bode në diskutimin e tij kundërshton edhe përcaktimin e Ministrisë së Mbrojtjes se “këto produkte (municionet) pas negocimeve i shiten kërkuesit më të parë”, pasi kërkuesi i parë në këtë kohë, në fakt ishte kompania amerikane SAC. Gjatë diskutimit ka momente acarimi kryesisht nga ministri i Mbrojtjes, i cili kërkon të hiqet fare nga VKM-ja, duke i lënë vendimmarrje Ministrisë së Financave. Diskutimet vazhdojnë më pas me insistimin e ministrit të Financave Ridvan Bode, i cili thekson se municionet e ushtrisë që do të jepeshin për demontim, në fakt janë pronë publike ndaj vendimmarrja e Qeverisë duhej të ishte e kujdesshme. Kryeministri Berisha gjatë ndërhyrjeve të tij kërkon që masa e përfitimit të ndërmarrjes MEICO, (Komisioni) duhet të jetë transparent deri në fund.
Dëmet e Gërdecit, nën akuzë 10 vlerësues
Oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Tiranës mësohet se kanë filluar komunikimin e akuzave për 10 ekspertët e pandehur për “shpërdorim detyre” gjatë vlerësimit të dëmeve në Gërdec. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se pesë ekspertëve u është komunikuar akuza, ndërsa pritet të merren të pandehur me urdhër të prokurorisë, edhe pesë specialistë të tjerë. Ata akuzohen se gjatë vlerësimit të dëmeve në 25 banesa të zonës së Gërdecit, kanë përcaktuar një faturë 230 milionë lekë më të lartë se sa vlera reale e dëmeve, e cila është paguar nga Qeveria me para të buxhetit të shtetit.
Debati në mbledhjen e qeverisë më 14 mars 2007
Procesverbal i mbledhjes së Këshillit të Ministrave, mbajtur më datën 14 mars 2007 “Për Projektvendimin e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”
Mbledhja drejtohet nga Kryeministri Sali Berisha
Për arsye të justifikuara, në mbledhje mungojnë, ministri i Brendshëm Sokol Olldashi, ministri i Shëndetësisë Maksim Cikuli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj.
Përveç anëtarëve të Këshillit të Ministrave, në mbledhje marrin pjesë edhe zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni, zëvendësministrja e Shëndetësisë Zamira Sinojmeri dhe zëvendësministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Neritan Alibali.
Sali Berisha: Ky projektvendim vjen i propozuar nga Ministri i Mbrojtjes.
Ridvan Bode: Nuk e kanë sjellë këtë, ku janë?
Fatmir Mediu: E kanë sjellë Ridvan, madje dje kanë qenë gjithë ditën dhe janë reflektuar të gjitha vërejtjet tuaja.
Ridvan Bode: Nuk janë reflektuar vërejtjet, por e kam këtu materialin e fundit, na e kanë sjellë këtu përpara. Kisha disa vërejtje. Atëherë ky projekt është përpunuar, është ripunuar. Në kapitullin II, pika 2) thuhet “Çmimi i vendosur nga ky komision i paraqitet Ministrisë së Financave për miratim”. Nuk mund ta miratojmë.
Fatmir Mediu: Është hequr, nuk ka gjë. Është shënuar gabimisht këtu.
Ridvan Bode: Unë them të hiqet.
Kisha një vërejtje tjetër. Në kapitullin II, pika 4) thoni: “Këto produkte pas negocimeve i shiten kërkuesit më të parë, duke realizuar një çmim jo më të ulët se çmimi i miratuar”. Dije nga miratimi i lartë, kush e miraton? Nuk miratojmë çmim ne.
Fatmir Mediu: E miraton Komisioni i Çmimeve. Ministria e Mbrojtjes përcakton çmimin.
Sali Berisha: Jo, miratuar paraprakisht çmimi. Ridvan, është miratuar çmimi paraprak.
Fatmir Mediu: Nuk ka të drejtë, që ne të përcaktojmë blerës nën çmimin e referencës, që ka përcaktuar Komisioni i Çmimeve. Kjo është.
Sali Berisha: Korrekt është.
Ridvan Bode: Në Kapitullin XI) thua: “Masa e përfitimit të ndërmarrjes MEICO për kryerjen e procedurave të shitjes në interes të Ministrisë së Mbrojtjes përcaktohet me udhëzim të Ministrit të Mbrojtjes”.
Sali Berisha: Kjo jo!
Fatmir Mediu: Ka një vendim për atë, se kush është masa e përfitimit të ndërmarrjes MEICO.
Ridvan Bode: Atëherë kur ka një vendim, refero vendimin. Po qe se nuk ka vendim, nuk mund ta përcaktojë ministri i Mbrojtjes, masën e përfitimit të ndërmarrjes.
Fatmir Mediu: Po mirë atëherë, të lihet sipas vendimit.
Sali Berisha: Të lihet: “Të shqyrtohet vendimi dhe të përcaktohet me një vendim të veçantë”.
Ridvan Bode: Dakord.
Fatmir Mediu: Të përcaktohet me një vendim të veçantë.
Sali Berisha: Po, sigurisht do të shqyrtohet kjo, se ky është...
Fatmir Mediu: Të gjitha të ardhurat, që sigurohen dhe nga MEICO. Ky është vetëm Komisioni, që merr MEICO, sepse është ndërmarrje.
Sali Berisha: Këtë duhet ta dimë ne. Duhet të jetë transparent ai Komision. Jo ai duhet të përcaktohet.
Fatmir Mediu: Shqetësimi që ngre Ridvani është për Komisionin, që merr ndërmarrja MEICO për të gjithë politikën, që bën për shitje.
Sali Berisha: Edhe unë e kam shumë të qartë, por ndërmarrja MEICO është ndërmarrje publike, të cilës duhet t’i përcaktohet se cili është Komisioni, që merr ajo.
Fatmir Mediu: E ka të përcaktuar ajo Komisionin.
Sali Berisha: Fatmir, ne ta shohim. Në qoftë se është përcaktuar, e lëmë në vend. Në qoftë se ka një përcaktim, që nuk na volitet, i themi që nuk do të jetë ky përcaktim, do të jetë tjetri.
Fatmir Mediu: Doni ta bëjmë, ta përcaktojmë me ç‘vendim?
Ridvan Bode: Sipas akteve, vendimeve të Këshillit të Ministrave, ndaç me një udhëzim të përbashkët të ministrit të Mbrojtjes me ministrin e Financave.
Sali Berisha: Dakord, në këtë mënyrë.
Ridvan Bode: Le të vihet sipas një udhëzimi të përbashkët midis Ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Financave.
Sali Berisha: Ajo praktikë do një shqyrtim. Le të vihet sipas udhëzimit të dy ministrive.
Fatmir Mediu: Hiqe Ministrin e Mbrojtjes, e përcakton Ministri i Financave.
Sali Berisha: Jo, të dyja ministritë.
Ridvan Bode: Nuk e përcaktoj unë, unë bëj vetëm oponencën.
Sali Berisha: Të përcaktohet sipas një udhëzimi të lëshuar nga të dyja ministritë. Jemi dakord?
(Të gjithë u shfaqën dakord)
Përfundimisht
Këshilli i Ministrave miratoi projektvendimin “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, me vërejtjet përkatëse.
Luljeta Durmishi Myqerem Tafaj
Stenografoi Sekretar i Përgjithshëm