E Diel, 1 Nëntor 2026

Bello: “KESH-i dhe OSSH-ja, vjedhje të llahtarshme shqiptarëve me faturat e energjisë”



Partia Socialiste ripërsërit akuzat e saj në drejtim të KESH-it për faturat abuzive në dëm të qytetarëve të thjeshtë shqiptarë. Deputeti socialist, Marko Bello, denoncoi dje nga tribuna e Kuvendit atë çka ai e quajti vjedhje të paskrupullt të KESH-it dhe të qeverisë në dëm të qytetarëve me anë të faturave abuzive të energjisë elektrike. Bello tha se KESH-i po bën kërdinë ndaj xhepave të qytetarëve, të cilët janë të detyruar të paguajnë shuma të llahtarshme, që nuk përkojnë aspak me konsumin real të energjisë elektrike që kanë harxhuar. “Kërdia që KESH-i po u bën qytetarëve përmes faturave aforfe është e llahtarshme. Si gjithnjë paguajnë qytetarët e ndershëm, ata që e njohin dhe respektojnë shtetin, ndërsa të përkëdhelurit e maxhorancës, biznesmenët që korruptimin e zyrtarëve të pangopur e kanë ngritur në art, do të vazhdojnë të mos paguajnë, duke rritur ndjeshëm koston për humbjet në rrjet dhe për kompensimin e sasisë së energjisë. Përveç varfërisë ekonomike, qytetarët po përballen edhe me vjedhjen mujore nga OSSH-ja. Ata ankohen se më të shumtën e muajve faturat e energjisë elektrike vijnë me shifra të mëdha, të cilat i kalojnë disa herë totalin e kilovatë/orëve të konsumuar dhe shumën e faturës së muajt të kaluar. Elektricistët që verifikojnë matësit nuk japin asnjë shpjegim për shifrat e shënuara dhe as nuk lejojnë që të verifikohen ato nga ana e konsumatorëve që kanë kontratë të rregullt dhe shlyejnë çdo muaj detyrimet ndaj KESH-it. Në këtë mënyrë, sipas konsumatorëve, vjedhja me faturat e energjisë elektrike, që i kalon disa herë shifrat reale të harxhuara, bëhet nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes duke përfituar e gjithë kupola, që nga elektricistët deri te qeveritarët. Qytetarët ankohen me të drejtë se edhe matësit e energjisë elektrike nuk ua lejojnë për t’i shikuar, sepse ata janë të mbyllur më çelës në katet e para të pallateve”, - tha deputeti socialist, Marko Bello.

3 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›