E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Qeveria të marrë në konsideratë propozimet e KLD-së dhe të Gjyqësorit për Gjykatën Administrative



Komisioni Parlamentar i Ligjeve rinisi dje shqyrtimin e projektligjit për Gjykatën Administrative, që cilësohet si një ndër projektet më të rëndësishme të reformës në Drejtësi. Deputetët e Partisë Socialiste kanë dhënë konsensusin në parim për miratimin e këtij drafti, por i kanë bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të marrë në konsideratë propozimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të ekspertëve të Gjyqësorit për të pasur një ligj të pranuar nga të gjithë. Në emër të PS-së ka folur deputeti Bashkim Fino, i cili theksoi nevojën e zhvillimit të një debati sa më të gjerë, ku të përfshihen të gjitha grupet e interesit. Ai bëri të ditur se për këtë projekt është më i rëndësishëm konsensusi juridik, sesa konsensusi politik. “Ne vërejmë të domosdoshme që nisma e ndërmarrë nga qeveria të diskutohet me grupet e interesit. Së pari vërejmë se kjo nismë ka mungesë transparence kundrejt aktorëve të sistemit gjyqësor dhe Drejtësisë në tërësi. Projektligji duhet të jetë në akordancë me sugjerimet, rekomandimet dhe direktivat e misioneve të BE-së, EURALIUS, SIGMA e USAID-it. Projektligji duhet të azhornohet dhe me ligjet e tjera në fuqi, pasi i prek ato, gjë që nuk është reflektuar në draftin e Ministrisë së Drejtësisë. Terminologjia e përdorur në draft është e paqartë dhe në shumë raste kontradiktore. Ligjvënia paraqet mungesë koherence me ligjet e tjera në fuqi”, - u shpreh Fino në emër të PS-së, ndërsa sugjeroi dy opsione. Së pari, sipas tij, Ministria e Drejtësisë duhet të përfshijë në projektligj propozimet e KLD-së. Nëse nuk bëhet kjo, sipas Finos, duhet të ngrihet një grup ekspertësh pranë Komisionit të Ligjeve që të reflektohen në draft të gjitha propozimet e grupeve të interesit. Deputetët e PS-së në Komision kërkuan nga Ministria që të gjejë ambientet e duhura se ku do të zhvillojnë aktivitetin gjykatat administrative, si dhe të lërë kohën e mjaftueshme për trajnimin e gjykatësve. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili ishte i pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit, bëri të ditur se kjo ministri po punon në gjetjen e godinave që do të shërbejnë si gjykata administrative. Në përfundim u ra dakord që ekspertët të shqyrtojnë projektligjin, të rakordojnë propozimet dhe ditën e mërkurë Komisioni i Ligjeve do të diskutojë sërish mbi draftin.

3 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›