E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: “Qeveria shkeli afatet për kartat e identitetit, zgjedhjet seriozisht në rrezik”



Shaban Sulçe

Partia Socialiste paralajmëron dështimin që u kanoset zgjedhjeve të 28 qershorit, si rezultat i ecurisë së ngadaltë dhe problemeve të shumta që po shoqërojnë procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit. Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, deklaroi se ndryshe nga sa ka premtuar qeveria dhe Ministria e Brendshme, ky proces ka nisur vetëm në 72 nga 383 njësitë vendore. Klosi renditi gjithashtu edhe një sërë problemesh serioze, të cilat po shoqërojnë procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit në njësitë ku ka filluar shpërndarja e këtyre kartave.

Procesi
Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, kujtoi premtimin e qeverisë dhe të Ministrisë së Brendshme, ku thuhej se brenda 28 shkurtit do të fillonte aplikimi për kartat e identitetit, ose, siç njihen ndryshe, letërnjoftimet elektronike, në të gjithë vendin, pra në 383 njësitë vendore. Më tej Klosi tha se ky premtim u tkurr, kur qeveria tha se brenda datës 28 shkurt ky proces do të fillonte në 104 njësi të qeverisjes vendore, kryesisht në bashkitë dhe komunat e mëdha. Por sekretari Organizativ dhe njëkohësisht deputeti i Partisë Socialiste, tha se dy ditë pas këtij afati të vendosur nga qeveria, vetëm 72 njësi vendore kanë nisur aplikimet për kartat e identitetit, ndërkohë që numri i personave që ka aplikuar është shumë i pakët.
“Ky aplikim ka filluar vetëm në 72 nga këto njësi, pa u zbatuar bile as datat e parashikuara në njoftimin zyrtar. Në shkallë vendi kanë aplikuar deri sot 110 100 zgjedhës, nga të cilët rreth 78 000 janë në Tiranë, ku ky proces po mbush 2 muaj që ka filluar. Realisht janë shpërndarë vetëm 2700 letërnjoftime elektronike në Bashkinë e Tiranës. Me këto ritme, kuptohet se objektivi është shumë larg premtimeve të bujshme dhe të herëpashershme të qeverisë dhe as deklarimet në media për ecuri normale të ministrit, as siguria prej eksperti e zëvendësministrit Pone dhe as deklarimet e trembura dhe thirrjet për sanksione të zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, nuk mund ta ndryshojnë realitetin dhe prag dështimin e procesit”, - tha Klosi.

Problemet

Ashtu siç dihet, Shtabi elektoral i Partisë Socialiste u ka dërguar një udhëzim të gjitha organizatave socialiste në bazë, ku u ka kërkuar që të ndjekim me vëmendje dhe të raportojnë të gjitha problemet që po shoqërojnë procesin e aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. Sipas deputetit Klosi, janë konstatuar disa problematika serioze në ato njësi ku ky proces ka filluar. Kështu, në selinë rozë është raportuar se ka pasaktësi në identifikim në momentin e paraqitjes së zgjedhësve.
Një tjetër problem ka qenë ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike që çorientojnë sistemin, duke sorollatur aplikuesit. Është raportuar gjithashtu probleme që kanë të bëjnë me mangësitë në njohjen e teknikës së punës nga një pjesë e operatorëve. Ka pasur probleme të vazhdueshme në marrjen e shenjave të gishtërinjve, sidomos për moshat e mëdha dhe nevoja që ata të paraqiten disa herë e të mos mbarojnë punë. Tjetër problem që është raportuar ka qenë moscaktimi i datës për paraqitjen për marrjen e letërnjoftimit dhe moszbatimi i datave edhe në rastet kur atyre u thuhet gojarisht se kur duhet të paraqiten.

Plani, si po e monitoron PS-ja procesin

Partia Socialiste po ndjek me shumë vëmendje procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit. Në kushtet e refuzimit të maxhorancës për krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për monitorimin e këtij procesi, monitorimi u është besuar të gjitha organizatave dhe strukturave vendore të selisë rozë. Kryesia qendrore e Partisë Socialiste u ka dërguar një udhëzim të gjitha këtyre strukturave vendore për të verifikuar ecurinë e procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit, për të evidentuar problemet që po hasen, si dhe për të kontrolluar dhe parandaluar çdo mundësi manipulimi nga ana e strukturave qeveritare me kartat e identitetit. Sipas burimeve në Partinë Socialiste, Shtabi Elektoral dhe selia qendrore për çdo ditë me radhë po merr informacion në lidhje me këtë çështje, nga pothuajse çdo qytet dhe komunë e vendit, pas raportimeve të organizatave dhe strukturave të bazës socialiste.

3 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›