E Diel, 1 Nëntor 2026

Mocioni për debat. LSI: Berisha të japë llogari për rëndimin e gjendjes ekonomike në Shqipëri



Shaban Sulçe

Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar dje në Kuvend kërkesën për mocion për debat me kryeministrin Sali Berisha mbi efektet e krizës ekonomike në Shqipëri si dhe gjendjen e rënduar financiare të shumë shtresave dhe kategorive në vend. Zëvendëskryetari i LSI-së dhe njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar “E majta për integrim”, Pëllumb Xhufi, tha se prej shumë ditësh LSI-ja u ka bërë thirrje qeverisë dhe kryeministrit Berisha për të raportuar rreth efekteve të krizës globale në Shqipëri dhe për masat që duhet të marrë qeveria për të përballuar këto efekte. Por Xhufi tha se këto thirrje të LSI-së nuk janë marrë parasysh nga ana e kryeministrit Berisha, dhe për këtë arsye grupi parlamentar i kësaj partie ka depozituar dje në protokollin e Kuvendit kërkesën për mocion për debat me kryeministrin në lidhje me këtë çështje. “Për fat të keq, ne konstatojmë që qeveria, një qeveri gazmore, siç është kjo e jona, e cila duket se jeton në një botë tjetër, jo vetëm që nuk e përballon, nuk i qaset problemit shqetësues të krizës, por e injoron atë dhe me një sfidë që nuk është aspak realiste. Kryeministri Berisha, i cili kur bëhet fjalë për mirë e konsideron Shqipërinë si një pjesë integrale të botës globale, kurse në të keq, siç është rasti i kësaj krize, e konsideron Shqipërinë si një ishull të lumtur, që nuk ka lidhje aspak me atë çka ndodh rreth e rrotull”, - tha zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumn Xhufi.

Kërkesa
Kërkesa e deputetëve të LSI-së për mocion për debat me kryeministrin Berisha është bërë mbi bazën e neneve 98 dhe 99 të Kushtetutës. Në kërkesë shprehen konstatimet e LSI-së për efektet negative që po përjeton Shqipëria si rezultat i krizës ekonomike globale. Sipas konstatimeve të bëra nga deputetët e LSI-së, rezulton se të prekur nga kjo krizë janë shumica e familjeve shqiptare dhe shtresat në nevojë, si pensionistët, fermerët e fshatarët, të papunët, invalidët dhe një pjesë e madhe e banorëve të shpërngulur në zonat informale të qyteteve, të cilët po kalojnë një gjendje të mjeruar ekonomike, duke mos pasur mundësi të sigurojnë ushqimin e tyre të përditshem. “Duhet të biem dakord në mënyrë konsensuale se vendi është në një prag krize ekonomike. Nëse kriza nuk ka mbërthyer gjithë ekonominë me rënie ekonomike nën zero, ne duhet të pranojmë rënien e ritmeve të rritjes ekonomike nga 6% në 2-3%, por mbi të gjitha duhet të pranojmë që rreth 50% e popullsisë shqiptare është në gjendje tepër të vështirë ekonomike dhe duhet ndihmuar nga qeveria e vet. Nëse shohim realitetin në sy dhe pranojmë që duhet të ndërhyjmë për të ndihmuar këta njerëz në vështirësi, grupi parlamentar ‘E majta për integrim’ në seancën plenare që do të zhvillohet për mocionin, do të paraqesë disa propozime antikrizë për të ndihmuar lehtësimin sado pak të efekteve të krizës, rritjen e punësimit dhe rigjallërimin e ekonomisë. Shpresojmë që zoti kryeministër të pranoj këtë mocion për debat parlamentar sa më shpejt”, - thuhet në kërkesë e Grupit Parlamentar të LSI-së.

Propozimet

Pak ditë më parë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka paraqitur publikisht një sërë propozimesh për kapërcimin e efekteve negative në ekonominë shqiptare. Këto propozime u bënë nga nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, të cilat, sipas tij, do të përballonin krizën ekonomike që ka prekur vendin. LSI-ja, në propozimet e saj ka kërkuar uljen 10% të TVSH-së, rritjen 30% të pensioneve, rritjen 50% të ndihmës ekonomike, rritjen deri në 30 miliardë lekë të subvencionimit në bujqësi, heqjen e tatimit të fitimit për të gjitha bizneset e reja, përqendrim të investimeve të buxhetit te kompanitë shqiptare, nxitje të elementit shqiptar në prokurime publike dhe tendera, si dhe zhbllokim të kredive në ekonomi.

Meta përkujton Kuvendin e Lezhës: “Politika e sotme t’u shërbejë qëllimeve kombëtare”

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti Ndre Legisi, mori dje pjesë në 565-vjetorin e Kuvendit të Lezhës. Fjalën e hapjes në ceremoninë e organizuar e mbajti kryetari i Bashkisë së qytetit të Lezhës, Viktor Tusha, i cili tha: “Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, e zgjodhi qytetin e Lezhës si një vend të besës, si vend bujar dhe mikpritës dhe si një vend strategjik për të ndërtuar perandorinë. Kuvendi u mbajt jo në emër të urrejtjes për një popull tjetër, por në emër të dashurisë për vendin e tij dhe popullit të vet”, - tha Tusha. Gjatë fjalës së tij kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se 2 marsi i vitit 1444 është një ngjarje historike, e cila duhet t’i shërbejë politikës për të reflektuar dhe për t’u shërbyer qëllimeve kombëtare. “Është një ngjarje historike, e cila ka vlerë jo vetëm që të kujtohet me nderim dhe madhështi, por nga e cila duhet gjithnjë të nxirren mësime që duhet të reflektohen në angazhimin e gjithë shqiptarëve dhe sidomos të politikanëve për t’u shërbyer qëllimeve më të mëdha kombëtare. Atyre qëllimeve që përbashkojnë aspiratat e kombit tonë, jo vetëm për të qenë të integruar dhe të bashkuar, por edhe për të pasur gjithnjë një të ardhme me dinjitetet, një të ardhme, e cila qëndron fort mbi lirinë, sepse për këtë të ardhme luftoi edhe Gjergj Kastriot Skënderbeu”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

3 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›