E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Kamzë: “Do ta zgjidhim përfundimisht çështjen e legalizimeve”



Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u premton banorëve të zonave informale zgjidhje përfundimtare të çështjes së legalizimeve. Këtë premtim kreu i selisë rozë e ka bërë gjatë takimit me “Rrjetin e Vullnetarëve” të Partisë Socialiste, të zhvilluar në Bashkinë e Kamzës. Ai akuzoi qeverinë se mashtroi shqiptarët me premtimin për legalizimet, duke shtuar më shumë pasiguritë për të ardhmen e tyre. Rama tha se në rast të fitores së 28 qershorit, qeverisja e ardhshme socialiste do t zgjidhë përfundimisht çështjen e legalizimeve. “Qeveria jonë e bashkimit të ri, pa dallim feje, krahine dhe ideje, do ta përfundojë legalizimin”, - deklaroi Rama përpara të rinjve të Kamzës.

Akuzat
Gjatë fjalës së tij në këtë takim Rama ka akuzuar kryeministrin Berisha, si njeriun kryesor që theu besimin e qytetarëve përsa i takon procesit të legalizimit, si një premtim i pambajtur prej tij. Rama tha se banorët e zonave informale u mashtruan për të dytën herë nga kryeministri Berisha, i cili çështjen e legalizimeve e ktheu në një maskaradë politike, papërgjegjshmërie dhe korrupsioni. “18 vjet me radhë të ardhurit e kësaj hapësire pa shtet ia lanë fatin e tyre në dorë Sali Berishës, dhe 4 vjet pasi erdhi në pushtet për të dytën herë, Sali Berisha nuk ua ktheu, por ua theu besimin, duke e kthyer edhe procesin jetik të legalizimeve në një maskaradë politike papërgjegjshmërie, paaftësie dhe korrupsioni, duke përjashtuar pushtetin vendor nga ky proces i domosdoshëm, në mënyrë antikushtetuese", - deklaroi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Premtimi
Duke vijuar më tej në fjalën e tij, Rama bëri publik premtimin e Partisë Socialiste në rast të fitores së 28 qershorit për çështjen e legalizimeve. Ai tha se qeveria e bashkimit të ri do të sigurojë përfundimin e plotë të procesit të legalizimeve, duke u dhënë banorëve tapi me vlerë për pasuritë e tyre të paluajtshme e për investimet e të ardhmes së tyre: "Unë jam këtu për t'i parë në sy përmes jush të gjithë të ardhurit që kanë ndërtuar themelet e së ardhmes të familjeve të tyre në shtëpitë pa leje rreth Tiranës dhe rreth të gjitha qyteteve të mëdha të vendit dhe për t'ju thënë se me fitoren e 28 qershorit do të marrë fund edhe pritja juaj. Qeveria jonë e bashkimit të ri, pa dallim feje, krahine dhe ideje, do ta përfundojë legalizimin jo duke u dhënë në dorë një Shaban-tapi, pa asnjë vlerë, por duke ju kthyer pasuritë tuaja të paluajtshme, duke e kthyer në pasurinë tuaj të paluajtshme shtëpitë, që politikanët për interesa elektorale ua mbajnë peng tash 10 vjet", - tha kreu i PS-së, Edi Rama.

Investimet
Për kreun e PS-së, me fitoren e 28 qershorit, do të fillojë edhe fundi i kaosit në hapësirat informale. “Ne do të investojmë fuqimisht, si asnjëherë më parë, në të gjitha këto vite, për kanalizime, rrugë, ndriçim, për çerdhe, kopshte e shkolla, dhe do t'i integrojë këto hapësira në kryeqytet dhe në qytetet të tjera, sepse nuk mund të ketë një Shqipëri europiane në Tiranë dhe një Shqipëri mesjetare në Bathore, apo rreth qyteteve të tjera të vendit”, - përfundoi Rama.

19 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›