PS: Qeveria, 270 milionë dollarë dëme në buxhetin e shtetit për vitin 2008
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi dje se nuk kishte asnjë pendim nga dekreti i tij për të “heshtur” për ligjin e dosjeve. Këtë deklaratë Presidenti Topi e bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin e Sllovenisë, Danilo Turk.
Në konferencën e përbashkët me Presidentin slloven Danilo Turk, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka filluar fjalën e tij me falënderimin për kreun e shtetit slloven për ndihmën e madhe që i ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt integrimit dhe për nënshkrimin e protokollit të NATO-s për anëtarësimin e Shqipërisë. I pyetur për vendimin e tij për të mos u shprehur në lidhje me ligjin e lustracionit, Topi ka deklaruar se heshtja e tij ka qenë një e drejtë kushtetuese e kreut të shtetit.
“Ka qenë një vendim i qartë, i ekspozuar në të drejtën kushtetuese që ka Presidenti i Republikës dhe ajo që unë konstatoj është që të gjitha institucionet dhe faktorët politikë kanë marrë pozicionin e tyre të qartë, duke respektuar themelet e shtetit ligjor dhe duke respektuar Kushtetutën”, - është shprehur Presidenti Topi. Më tej, Presidenti ka bërë të ditur se gjatë takimit me homologun slloven është biseduar për situatën politike në vend, për reformën në drejtësi dhe për situatën parazgjedhore të vendit. Ndër të tjera, Topi ka theksuar se ligji për zgjedhjet dhe pajisja e qytetarëve me kartat e identitetit do të bëjë që këto zgjedhje të jenë të lira, të ndershme dhe demokratike. Në lidhje me lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, Presidenti ka deklaruar se ka ardhur momenti që të gjitha vendet partnere duhet të kenë një konsensus dhe mbështetje për lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Ndërkohë, Topi e ka konsideruar si të rëndësishme situatën e qetë të rajonit duke thënë se, “asnjëherë rajoni ynë nuk ka qenë më i qetë se sot, kjo në radhë të parë vjen nga dëshira e vendeve të rajonit por edhe falë ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë”.
19 Shkurt 2009