E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodheli: “PS-ja, krenare për kontributin e dhënë për anëtarësimin në NATO”



Partia Socialiste ka përshëndetur mbylljen e procesit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit në NATO të Shqipërisë nga 26 vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut. Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, tha se padyshim në arritjen e këtij objektivi duhet vlerësuar edhe kontributi i dhënë nga Partia Socialiste nëpërmjet miratimit me konsensus të ligjeve dhe reformave të rëndësishme. Ajo nënvizoi konsensusin e dhënë nga Partia Socialiste, nismat dhe mbështetjen e dhënë për reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore. “Partia Socialiste e Shqipërisë është krenare të konstatojë se gjatë gjithë këtij procesi ka dhënë një kontribut të pamohueshëm në arritjen e standardeve që mundësuan këtë objektiv. Roli vendimtar i opozitës socialiste në krijimin e frymës së konsensusit për realizimin e reformave madhore për vendin, siç qe nisma për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore, mund të konsiderohen pa hezitim si kontribute decizive në procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO”, - tha Kodheli.

G99, tryezë për Urgjencën Mjekësore

Shërbimi i Urgjencës Mjekësore ka nevojë të unifikohet duke përfshirë në një numër të vetëm dispatcher njoftimin për policinë dhe zjarrfikësen. Ky ishte një ndër konkluzionet dhe sugjerimet e paraqitura dje në një tryezë të rrumbullaktë, të organizuar nga G99-ta, për shërbimin e urgjencës mjekësore në Shqipëri, një tryezë që mblodhi mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë nga disa qytete të Shqipërisë. “Të gjithë jemi dakort që sot për sot shëndetësia është plaga më e madhe në Shqipëri. Ka ndoshta një ditë të vetme në jetën e një njeriu kur ai ka nevojë që shteti të jetë vetëm një telefonatë larg dhe në pjesën më të madhe të republikës sonë shumica e njerëzve nuk e dinë cili është numri i Urgjencës, sepse ata variojnë në komuna dhe bashki të ndryshme. Ajo që ofrojmë sot është një ide e thjeshtë dhe konkrete për të pasur një shërbim të unifikuar të Urgjencës, një numër 112, i cili do të shërbente për të gjitha rastet, version shqiptar i numrit të famshëm amerikan 911. Kjo do të jetë pika e parë e kontaktit me shtetin”, - tha kreu i G99-s, Veliaj, në këtë takim.

19 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›