Meta: “Nëse rruga Durrës-Kukës nuk përfundon më 28 qershor, do ta përfundojë qeverisja e ardhshme e LSI-së”
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka bërë një vizitë në aksin “Rrëshen-Kalimash” për të parë nga afër ecurinë e punimeve të Rrugës Durrës-Kukës. Meta dhe drejtuesit e LSI-së takuan menaxherin e projektit të kësaj vepre madhështore, kryeinxhinierët e firmës që po realizon punimet, si dhe shumë punonjës shqiptarë dhe të huaj. Gjatë bisedës me ta Meta vlerësoi ndërtimin e kësaj rruge, si një vepër të rëndësishme jo vetëm për bashkimin dhe integrimin e shqiptarëve, por edhe të Ballkanit dhe më gjerë. “Sot është një nga ditët më të bukura të jetës sime, për arsye se së bashku dhe me shumë kolegë të tjerë, jemi dëshmitarë të një vepre madhështore të ëndërruar nga të gjithë shqiptarët dhe brezat e sotëm dhe brezi ynë janë fatlumë, sepse në gati një dekadë shqiptarët kanë bërë realitet dy ëndrra, të cilat janë pikërisht liria e Kosovës dhe tashmë edhe kjo vepër gjigante, madhështore, e cila bashkon Shqipërinë me Kosovën, bashkon shqiptarët dhe i integron ata me njëri-tjetrin, por do të bashkojë shqiptarët me të gjithë popujt e Ballkanit, duke realizuar kështu një ëndërr për integrimin ndërmjet shqiptarëve dhe duke dhënë një kontribut për vetë integrimin e Ballkanit.
Është një vepër e standardeve të papara deri tani në Shqipëri”, - tha Meta. I pyetur në lidhje me akuzat që ka bërë Partia Socialiste për korrupsionin dhe abuzimet që ka pasur për ndërtimin e kësaj rruge, Meta tha: “Korrupsioni është një fenomen tepër shqetësues dhe për fat të keq edhe gjithëpërfshirës. Që do të thotë se korrupsioni ndihet në të gjithë sektorët e jetës ekonomike në vend dhe, pa dyshim, qeveria ka edhe përgjegjësinë e vet për të gjitha procedurat do të thosha, të nxituara apo jokorrekte. Por unë nuk jam këtu si ekspert i Prokurorisë apo i Gjykatës. Sepse unë besoj te Drejtësia e pavarur për çdo problem që ka kushdo pushtetar, politikan apo zyrtar me ligjin. Unë jam këtu si politikan. Unë jam këtu si lider i një lëvizjeje për integrim, për integrim brenda shqiptarëve, për integrim midis shqiptarëve, për integrim të Ballkanit dhe për integrim europian të të gjithëve ne, shqiptarëve dhe ballkanasve. Kjo rrugë do të jetojë shumë më tepër sesa Ilir Meta, Edi Rama apo Sali Berisha, apo Lulzim Basha. Ndaj ne angazhohemi që në rast se kjo rrugë nuk përfundon deri më 28 qershor, dhe ne dëshirojmë të përfundojë, jemi këtu të shprehim angazhimin tonë që kjo rrugë, në qeverisjen e ardhshme të përfundojë sa më shpejt, sepse i gjithë ky investim, i gjithë ky shfrytëzim që është bërë duhet të kthehet në mirëqenie për të gjithë shqiptarët dhe Ballkanin”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
19 Shkurt 2009