E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata e të Përndjekurve, kundër pezullimit të ligjit të dosjeve: “Do t’i drejtohemi Strasburgut”



Ish-të përndjekurit politikë kanë reaguar ashpër kundër pezullimit të ligjit të dosjeve nga Gjykata Kushtetuese. Gjatë një deklarate për shtyp përfaqësuesi i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, Bedri Blloshmi, ka deklaruar dje se do t’i drejtohen Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë javës së ardhshme ish-të përndjekurit do të zhvillojnë protesta paqësore para Gjykatës Kushtetuese. “Jemi thellësisht të zhgënjyer dhe të irrituar nga vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese. Pas këtij vendimi ne mbetemi i vetmi vend në Europë që nuk është ndarë ende nga krimet e diktaturës komuniste dhe nuk ka hapur dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit”, - tha Blloshmi. Ish-të përndjekurit kanë njoftuar se një grup avokatësh, ndër më të njohurit në vend, po përgatisin padinë që do të ngrihet në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, pasi, sipas tyre, "me të drejtat legjitime të ish-të përndjekurve nuk mund të tallet më as Fehmi Abdiu dhe as Partia Socialiste, trashëgimtarja e Partisë së Punës".
“Gjatë këtyre 18 viteve ne kemi pritur reagimin e institucioneve të shtetit për të kontribuar në vendosjen e paqes sociale në vend dhe për të kuruar plagët e së shkuarës, duke mos i lënë vend revanshit dhe vazhdimit të diskriminimit të të drejtave tona”, - është shprehur Blloshmi. Bedri Blloshmi, vëllai i poetit të pushkatuar nga regjimi komunist, Vilson Blloshmi, tha në emër të ish-të persekutuarve se “ne i njohim persekutorët tanë dhe i dimë krimet që kanë kryer, sepse jemi ende gjallë dhe asnjë vendim i standardeve të Sigurimit të Shtetit nuk do të na ndalë të bëjmë zbardhjen e krimeve të tyre”. Sipas tij, gjyqtarët kriminelë, që duhet të ishin para Drejtësisë për krimet e kryera ndaj njerëzve të pafajshëm, nuk e kanë vendin në Gjykatën Kushtetuese. “Prokurorët që kanë dhënë pretenca me pushkatim, varje në litar, burgosje politike apo internime nuk kanë vend në institucionet e shtetit të së drejtës. Ne nuk do të tërhiqemi nga përballja jonë me mbeturinat e atij sistemi, sikurse nuk jemi tërhequr për asnjë moment edhe kur diktatura na vriste, burgoste dhe internonte”, - vijon më tej deklarata e ish-të përndjekurve politikë. Në këtë drejtim, ish-të përndjekurit shprehen se do të përshkallëzojnë qëndrimet e tyre në një protestë paqësore, e cila do të organizohet gjatë javës së ardhshme, para Gjykatës Kushtetuese. “Kjo protestë do të organizohet kundër vendimeve klasore të atyre që i lejojnë vetes të drejtën të na gjykojnë sërish sot, 18 vjet pas rrëzimit të diktaturës dhe kundër vendimeve çnjerëzore që kanë dhënë gjatë atij regjimi”, - thuhet në përfundim të kësaj deklarate.

19 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›