Bello: LMN solidarizohet me deputetët grevistë
Lëvizja për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste është në mbështetje të plotë me protestën dhe grevën e urisë që po mbahet nga opozita. Deputetët e LMN-së bënë të qartë me pjesëmarrjen e tyre në këtë aksion se solidariteti tradicional i socialistëve nuk është cenuar ende. “Ne jemi socialistë dhe jemi në mbështetje të këtij aksioni politik. Pavarësisht konsideratës për grevën e urisë, si një formë pak ekstreme, ne mendojmë se duhet të jemi bashkë në këtë aksion me rëndësi për Partinë Socialiste”, tha dje deputeti Marko Bello. Ai nënvizoi se pjesëmarrja e Arben Malajt në grevën e urisë flet për qëndrimin e LMN që gjithsesi nuk duhet parë si përçuese e diversioneve politike, por si një mjedis politik me gjykime kritike dhe objektive për performancën e opozitës. Nisur nga ky deklarim është me vend të mendohet se pritmëria e ndonjë ndarjeje në ekipin drejtues të PS lidhur me nismën e tanishme nuk është i mundshëm. Përballë një qeverie që ka një çështje për të zgjidhur, kohezioni socialist është një element që ul opsionet e veprimit, pasi kritika e natyrshme ndaj precipitimit të situatës nuk po artikulohet nga brenda radhëve të PS. Të paktën deri në momentin aktual, greva e urisë po ruan avantazhin e lajmit të parë dhe problemit kryesor politik, cenimi i të cilit nga arsyetimet ndryshe mund të sjellë acarime të panevojshme dhe akuza të tepruara. Kjo gjë, por edhe qëllimi final për largimin e Sali Berishës janë ndoshta arsye të mjaftueshme për të mbajtur të bashkuar rrymat e ndryshme në PS.
#