E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenton ti shpëtojë provimeve, alarm për bombë në shkollë

Elbasan

Një alarm i rremë për bombë ka krijuar panik mes nxënësve dhe mësuesve të shkollës së mesme profesionale “Ali Myftiu” në Elbasan. Një telefonatë anonime në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit për vendosjen e një bombe në ambientet e shkollës së mesme profesionale, ka vënë në alarm policinë lokale. Mësohet se telefonuesi ka rezultuar të jetë një nxënës i shkollës, por emri i tij nuk bëhet i ditur nga policia. Rreth orës 10:30 ai ka telefonuar në polici, ku ka deklaruar se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë, e cila do të shpërthente pak minuta më pas. Policia është angazhuar menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe në një kohë rekord, policia ka evakuuar nxënësit dhe mësuesit, duke i nxjerrë jashtë territorit të shkollës. Më pas ka nisur kontrolli i imtësishëm në të gjithë godinën. Pas një ore kontroll, policia nuk ka gjetur asnjë objekt të dyshimtë. Ndërkohë mësohet se ekspertët e policisë kanë mundur të lokalizojnë bisedën, si dhe të kenë regjistruar numrin e telefonit celular nga kishte ardhur sinjalizimi. Mësohet se telefonuesi, nxënës i vitit të katërt, në harkun kohor të dhjetë minutave ka bërë të njëjtin lajmërim të rremë edhe për një bombë tjetër te shkolla e mesme profesionale “Salih Ceka”, që ndodhet në dalje të qytetit të Elbasanit, përgjatë rrugës ndanë përroit të Zaranikës. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se është nxënësi i vitit të katërt, në degën mekanike dhe gjithçka është stisur pasi ai kishte dy provime për të dhënë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›