E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH, shtohen nevojat për gjak për shkak të aksidenteve



Ministria e Shëndetësisë kërkon që të shtohen dhurimet vullnetare të gjakut për shkak të kërkesave në rritje nga shtimi i aksidenteve të ndodhura gjatë sezonit të verës. Shtimi i aksidenteve rrugore dhe kërkesat e të sëmurëve që kërkojnë transfuzion të herëpashershëm, kanë vënë në lëvizje Kryqin e Kuq Shqiptar dhe shëndetësisë, për të siguruar sa më tepër gjak. Spitalet përballen me kërkesë të madhe të gjakut për pacientët e shtruar në spitale, apo ato që janë raste urgjente dhe kërkojnë ndihmën e menjëhershme. Ministria e Shëndetësisë bën apel për dhurim të vazhdueshëm të gjakut, pranë qendrave të dhurimit dhe në spitale. Bazuar në të dhënat e MSH-së, gjatë dy viteve të fundit dhurimi i gjakut është rritur me 30 %. Numri i dhurimeve në pesë muajt e parë të vitit 2009 rezulton të jetë dyfishuar, krahasuar me një vit më parë, por nevojat janë ende të mëdha. Sipas të dhënave, në vitin 2008 ishin 20.400 dhurime kundrejt 14.670 dhurime në vitin 2005 dhe kjo rritje i dedikohet dhurimeve familjare. Në vitin 2008 numri i dhurimeve vullnetare përbënte 15 % të totalit, kundrejt 11 % në vitin 2005. Prej shumë vitesh, në vend po punohet për kalimin nga sistemi tradicional i dhurimit të rregullt të gjakut me pagesë në sistemin e dhurimit të rregullt pa pagesë. Prioritet i punës së strukturave shëndetësore mbetet krijimi i një baze të qëndrueshme dhuruesish vullnetarë të rregullt, me qëllim përmbushjen e objektivit strategjik, që në fund të vitit 2010 dhurimi i gjakut të jetë 100 % i papaguar.
Sipas specialistëve dhurimi i gjakut nuk është i dëmshëm, por ndihmon në ripërtëritjen e organizimit. Nëse një individ do të dhuronte gjak 3 herë në vit, nevojat e tij për gjak do të plotësoheshin. Gjaku ka një cikël riprodhimi të përhershëm prej 21 ditësh dhe më pas vetshkatërrohet, ndaj dhe apeli i strukturave shëndetësore është të mos e lërë të shkojë kot këtë gjak. Gjak mund të dhurojnë të gjithë njerëzit e shëndetshëm nga 18 deri 65 vjeç dhe me peshë trupore mbi 50 kg. Burrat mund të dhurojnë gjak 4 herë në vit dhe gratë dy herë në vit.

29 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›