E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri akademik, Universiteti i Tiranës propozon 50 mastera të nivelit të dytë



Universiteti i Tiranës do të ofrojë për vitin e ardhshëm akademik plot 50 mastera të nivelit të dytë. Në krye të listës, për numrin më të lartë të programeve master i nivelit të dytë renditet Fakulteti i Mjekësisë, me 18 mastera të tillë. Ndërsa fill pas Mjekësisë, për larminë e masterave vjen Drejtësia me Filologjikun. Aktualisht, fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë përfunduar paketën e plotë të masterave që do të ofrojnë për vitin akademik 2009-2010. Propozimet e tetë fakulteteve të Universitetit të Tiranës (UT), për ndjekjen e këtyre studimeve tashmë janë dorëzuar edhe në Rektoratin e këtij universiteti. Pas rishqyrtimit të bërë nga specialistët e kurrikulave në Universitetin e Tiranës, propozimet e fakulteteve për programet e studimit master i nivelit të parë dhe të dytë kanë marrë miratimin nga Senati i UT-së. Burime nga Universiteti i Tiranës bëjnë të ditur se pritet vetëm miratimi nga Ministria e Arsimit për propozimet e paraqitura nga fakultetet. Ndërkohë, nga lista e propozimeve të bëra vihet re se fakultetet e UT-së, do të ofrojnë një larmi masterash të nivelit të dytë vitin e ri akademik.

Doktoratura, Universiteti i Tiranës do të ofrojë 29 programe të ciklit të tretë

Plot 29 programe doktoraturash, do të ofrojë Universiteti i Tiranës, për vitin e ardhshëm akademik. Ndërkohë që studimet për programet e ciklit të tretë, do të mund të ndiqen vetëm në katër fakultete të këtij universiteti. Konkretisht katër fakultetet që do të ofrojnë studimet për marrjen e gradës “Doktor” janë: Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Fakulteti i Mjekësisë. Ky i fundit, do të ketë edhe numrin më të madh të programeve të doktoraturës, për të cilin janë përcaktuar 19 të tilla. Programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese të pavarura. Këto studime zgjasin të paktën 3 vite dhe përfshijnë edhe 60 kredite për studime të organizuara. Organizimi dhe funksionimi i programeve të studimeve të doktoratës, përcaktohet me rregullore të veçantë të Universitetit të Tiranës. Rregullat më specifike në lidhje me hartimin e programeve, kuotat e pranimit, kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, veçoritë akademike, kohëzgjatjen dhe kreditet si dhe diplomat e programeve të studimeve të doktoraturës përcaktohen në rregulloren e shkollës doktorale, pranë njësisë bazë në analogji, për aq sa është e mundur.

29 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›