“Rezultati nuk është i pranueshëm”
Deputeti i Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla duke mbështetur papranueshmërinë e rezultatit të zgjedhjeve, që cilësohet dhe në rezolutën e propozuar nga Edi Rama, tha se ajo është politike. “Papranueshmëria për të cilën po flasim është ajo politike, pasi ne nuk njohim maxhorancën që del prej këtyre zgjedhjeve. Ne do të shkojmë në Parlament dhe do të kërkojmë zgjedhje të parakohshme. Edhe në 2005 kur Fatos Nano dha dorëheqjen, i konsideroi zgjedhjet të papranueshme politikisht dhe rezultatin ilegjitim”, u shpreh Balla. Duke mbështetur rezolutën e propozuar nga kreu socialist, Balla shprehu keqardhje për një grup deputetësh që e zhvendosin debatin nga hajduti tek roja. “Nëse Sali Berisha është hajduti i këtyre zgjedhjeve, nuk është Edi Rama roja që duhet t’i mbronte votat, por jemi ne të gjithë. Vetëm duke i cilësuar zgjedhjet të papranueshme kemi mundësi të kërkojmë zgjedhje të parakohshme”, u shpreh deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.