Dokle: U deformua vullneti i shqiptarëve
Anëtari i kryesisë, Namik Dokle, i cilësoi zgjedhjet jo të lira dhe të ndershme, madje të manipuluara. “Procesit zgjedhor i shtrohen shumë pyetje, por njëra qëndron mbi të tjerat: A është rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit shprehje e vullnetit të shqiptarëve? Jo! Sepse zgjedhjet nuk ishin të lira, të drejta dhe të barabarta. Të gjitha institucionet që dalin nga këto zgjedhje kanë legjitimitet të cunguar”, u shpreh Dokle. Sipas tij, edhe administrata dhe kandidatët për deputetë u terrorizuan nga pushteti i Berishës. “Ka shumë arsye dytësore dhe vetëm një arsye parësore: Mënyra sesi e konceptoi dhe e realizoi qeveria Berisha këtë test të madh të demokracisë. Të ruajmë pushtetin me çdo kusht, duke përdorur mashtrimin, kërcënimin dhe manipulimin! Kjo ishte motoja e tyre. Të gjithë prisnin, sidomos pas anëtarësimit në NATO, zgjedhje të lira e të ndershme. Por për çfarë lirie mund të flitet, kur presioni i qeverisë ishte i pranishëm në çdo qelizë?”, u shpreh Dokle.