E Diel, 1 Nëntor 2026

Bello: Qeveria, mungesë vëmendjeje për disa akse rrugore

Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se po neglizhon infrastrukturën rrugore. Deputeti i PS-së, Marko Bello, tha se janë shumë akse rrugore që duhet të kishin marrë fund qysh më parë. Ai përmendi segmentin rrugor Lushnjë-Fier prej 22 km, i financuar nga Kooperacioni Italian, segment që sipas tij duhej të kishte përfunduar që në fund të vitit 2006. Bello tha se edhe segmenti Fier-Vlorë, 34 km edhe pse ka një kredi të lëvruar në 2007, por rruga s’po ndërtohet akoma. Sipas tij, edhe segmenti Levan-Tepelenë, 76 km ka një projekt, si dhe financimin prej 70 milionë euro nga Komuniteti Evropian. “Qeveria i gjeti gati, por Berisha nuk donte zhvillimin proporcional të vendit”, - tha ai. Po kështu Bello përmendi edhe segmentin Gjirokastër-Tepelenë, 23 km financuar nga Banka Evropiane e Investimeve e që filloi në qershor 2005, ende nuk ka përfunduar, pasi kanë mbetur 2 km pa u ndërtuar për shkak të rrëshqitjeve të dherave.

LSI: Pas ratifikimit, qeveria të intensifikojë hapat drejt BE-së

LSI përshëndeti mbylljen e procesit të ratifikimit të MSA-së me vendet e BE-së, ndërsa kërkoi nga qeveria më shumë angazhim për liberalizimin e vizave si dhe për aplikimin për statusin e vendit kandidat për në BE. Zv.kryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, deklaroi se lajmi i mbylljes së ciklit të ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian është një lajm i mirë, i cili u prit si i tillë nga LSI. “Megjithëse qeveria “Berisha” ka tashmë një mandat të kufizuar, edhe gjashtë muaj, ne duam të nënvizojmë me forcë se përgjegjësia kryesore për procesin e integrimit të Shqipërisë, për lehtësimin e regjimit të vizave, ashtu dhe për arritjen e aplikimit të statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian, që janë dy nga sfidat më të afërta, i takojnë, në radhë të parë, qeverisë së zotit Berisha”, - tha Xhufi. Megjithatë ai vuri në dukje se qeveria “Berisha”, sidomos në këtë fazë, kur është përfshirë edhe nga avujt e fushatës elektorale nuk po tregon ndërgjegjen e duhur për t’u përballuar me sfidat dhe me prioritetet e vendit.

Ratifikimi i MSA-së, PS: Nuk është vetëm meritë e PD-së

Mbyllja e procesit të ratifikimit të MSA-së xhelozon Partinë Socialiste. Kryetari i PS-së së Tiranës, Besnik Baraj, tha dje se qeveria gënjen kur deklaron se është merita e saj për mbylljen e këtij procesi. “Qeveria gënjeu kur tha se ratifikimi i MSA është meritë e qeverisë, sepse MSA u ratifikua falë të gjitha kontributeve në vite të të gjitha palëve dhe nëse u vonua kaq shumë një ndër shkaktarët kryesorë është vetë Sali Berisha, simboli i një politike të vjetër, që prej 18 vjetësh i ka lënë shqiptarët, jo vetëm pa drita, pa ujë, pa punë, por së fundmi ua merr taksat për të reklamuar gënjeshtrat e qeverisë së tij”, - tha Baraj.

Njëkohësisht ai tha se Kryeministri Berisha gënjeu kur tha se ligji i dosjeve është me standarde evropiane sepse sot, Sekretari i Përgjithshëm i KE-së tha të kundërtën. Një tjetër çështje e prekur prej tij është ajo e kartave të identitetit. Kreu i PS-së së Tiranës deklaroi se Kryeministri gënjeu kur tha se prioriteti i tij është pajisja me karta, sepse ditë për ditë po vërtetohet, që qeveria s'ka as plan, as kalendar, as shqetësim maksimal, për këtë çështje jetike për Shqipërinë e vitit 2009.

LRI, fushatë me moton “buxhet për korçarët”

Lëvizja Rinore për Integrim ne qytetin e Korçës ka nisur sot një fushate me moton "Buxhet për Korçaret". Fushata ka për qellim evidentimin e zonave me problematike te qytetit te Korçës dhe ushtrimin e presionit nga ana e grupit të këshilltarëve të LSI pranë bashkisë së qytetit që këto zona të përfshihen në projektin e investimeve në buxhetin që është duke u hartuar nga Bashkia Korçë. Të rinj të LRI-së, të shoqëruar edhe nga banorë të zonës kane kërkuar dje që bashkia të përfshijë në projektbuxhet investimet për një zonë shumë problematike siç është ajo midis shkollës "Demokracia" dhe shkollës "Naum Veqilharxhi". Aktivistët e LRI e kanë cilësuar këtë zone si shume problematike jo vetëm për banoret e godinës por mbi te gjitha për shëndetin e nxënësve te shkollave te çilet çdo vit kane probleme me shëndetin, kryesisht prej Hepatit A, si rrjedhojë e mbeturinave qe rrethojnë shkollat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›