PS, LSI refuzojnë të jenë në komisionin e verifikimit të figurave
Opozita refuzon të marrë pjesë gjatë procesit të verifikimit të figurave që do të nisë me hyrjen në fuqi të ligjit të dosjeve. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim bënë të ditur dje se do të bojkotojnë komisionin që parashikon ligji ose i quajtur ndryshe autoritetin e kontrollit të figurës. Pasi nuk kanë pranuar ligjin, e kanë kontestuar atë dhe kanë refuzuar ta miratojnë, opozita nuk pranon të marrë pjesë në zbatimin e një prej ligjeve më të rëndësishme të kësaj legjislature parlamentare. Deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello, bëri të ditur dje qëndrimin më të ri të socialistëve pas hyrjes në fuqi të ligjit të dosjeve. Ai tha se ligji është antikushtetues dhe si e tillë Partia Socialiste nuk mund të marrë pjesë në komisionin që ngrihet në bazë të tij. “Ju e dini se Partia Socialiste nuk e njeh këtë ligj e quan antikushtetues dhe ne nuk mund të bëhemi palë në një ligj që shkel Kushtetutën e vendit. Ju e dini që ne do ta ankimojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të presim vendimin e kësaj gjykate. Madje, s'do marrim pjesë në komisionin e verifikimit", - tha Marko Bello. Ndërsa, zv.kryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, duke pohuar se kjo parti nuk mund të marrë pjesë në zbatimin e këtij ligji, u shpreh se shpreson që ligji të kthehet nga Gjykata Kushtetuese. “Konsiderojmë që është një ligj, i cili nuk është në interes të vendit. Si i tillë, nuk mund të marrim pjesë në menaxhimin e këtij ligjit”, - tha Xhufi duke shtuar se shpreson që ky ligj të mund të kthehet, duke ndjekur rrugët ligjore të mëtejshme. “Jemi nga ata që kemi votuar me forcë kundër këtij ligji, ashtu siç kemi votuar edhe disa nga ligjet e tjera që kanë kaluar dhe që ne mendojmë që kanë qenë në përplasje të drejtpërdrejtë me demokracinë dhe me parimin e ndërtimit të institucioneve të shëndosha”, - deklaroi Xhufi.
Megjithatë, ky bojkot është parashikuar në ligjin e dosjeve. Në nenin 6, pika 5 e tij parashikohet se "në rast se vendi i një apo me shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh apo për pamundësi zgjedhjeje, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën dy kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile”. Një parashikim i tillë duket se lejon që puna e autoriteti i kontrollit të figurës të funksionojë normalisht pavarësisht se opozita nuk jep propozime për ngritjen e tij. Ligji u miratua në fund të sesionit të shkuar parlamentar dhe hyri në fuqi tre ditë më parë. Presidenti nuk u shpreh me dekret për të, por e la çështjen të kalojë në heshtje. Kushtetuta parashikon që nëse Presidenti nuk shprehet me dekret për një ligj të caktuar deri në një afat të caktuar, ligji hyn në fuqi.