E Shtunë, 31 Tetor 2026

U shpëton rojeve, arrestohet shqiptarja në Greqi



Një shqiptare është arrestuar nga policia greke në doganë, ndërsa po përpiqej që të kalonte për në Shqipëri, pasi u kishte shpëtuar dy agjentëve grekë. E arrestuara kishte arritur që të udhëtonte nga Selaniku për në pikën e kalimit kufitar të Kristalopigjisë, por aty punonjësit kanë arritur që ta dallojnë atë, duke i vënë prangat. Agjentët grekë kishin njoftuar për arratisjen e shqiptares, duke vënë në alarm të gjitha strukturat e policisë në vendin fqinj. E arrestuara i është dorëzuar sërish policisë dhe më pas është shoqëruar për në qelitë e burgut. Sipas mediave, 30-vjeçarja ishte dënuar më parë nga drejtësia greke, ndërsa tani do të duhet të përballet me një tjetër akuzë.

Ajo ishte arratisur në momentin kur dy policë grekë e kishin çuar në spitalin Ipokratio të Selanikut, për të kryer disa analiza mjekësore. Ndërsa ata janë futur në spital dhe kanë lënë atë të zhvillonte vizitën mjekësore, shqiptarja ka shfrytëzuar një moment kur dy policët nuk po e ruanin dhe ia ka dalë mbanë që të largohej. Më pas, ajo ka dalë nga spitali dhe është larguar në drejtim të doganës. Policët grekë kanë vënë re se e arrestuara po vonohej dhe kanë shkuar për ta marrë atë. Po ata nuk e kanë gjetur shqiptaren. Menjëherë kanë filluar kontrollet në të gjithë spitalin, por pa sukses. Është dhënë alarmi në të gjithë policinë greke dhe janë shpërndarë fotot e saj, me qëllimin që ajo të identifikohej dhe arrestohej sërish sa më shpejt. Shqiptarja ia ka dalë që të udhëtojë drejt doganës së Kristalopigjisë, por aty është arrestuar nga policia greke, e cila ishte e informuar për ngjarjen, madje kishte edhe urdhër arrestimi për të, i cili u ishte shpërndarë gjithë pikave kufitare. Shqiptarja e arrestuar është një 30-vjeçare, e cila vuante dënimin në burgjet greke me akuzat e vjedhjeve dhe të trafikimit të drogës.

Ndërkohë, policia e Selanikut ka nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e arratisjes së saj. Hetuesit kanë marrë në pyetje dy policët që e shoqëronin, si edhe dëshmitarë të tjerë, të cilët kishin pasur kontakt me 30-vjeçaren. Sipas hetimeve paraprake, mendohet se shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë mungesa e vëmendjes së dy agjentëve, të cilët e kanë shoqëruar atë në spital. Shqiptarja është shoqëruar sërish në burg, ku tani pritet që të gjykohet edhe për një tjetër akuzë, atë të arratisjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›