E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bello: Qeveria në dietë luksi, shqiptarët në krizë varfërie

Deputeti i PS, Marko Bello në fjalën e tij në kuvend e ka akuzuar qeverinë se po shpërdoron taksat e shqiptarëve. Në vend që të kompensojë pronarët, të dëmshpërblejë të përndjekurit apo të ndërtojë apartamente për të pastrehët, Qeveria vijon të shpenzojë shuma të konsiderueshme, sikurse rasti në fjalë, ku përmes fondit prej 108.299.166 lekësh, vila nr.1 në Vlorë do të kthehet në një godinë luksoze, u shpreh Bello. Deputeti socialist lidhur me ngritjen e kësaj godine luksoze, tha se njeriu që dikur shqetësohej për vaskat prej floriri, në të cilat thuhet se heqin stresin e ditës biznesmenët e pasur, sot kërkon të ngrejë ambiente luksi për vete dhe shpurën e tij, por me paratë e taksapaguesve të varfër. Sipas Bellos, lidhur me këtë projekt bëhet e ditur ndërtimi i një pishine, një saune, si edhe i një vaske hidromasazhi të tipit Jacuzzi. Bello deklaron se në mënyrë të veçantë theksohet se pllakat e pishinës, vaskës apo saunës duhet të jenë të parrëshqitshme e kjo për shkaqe të larta sigurie ndaj zyrtarëve. Sipas tij, të gjitha shkallët e parvazet e dritareve do të vishen me mermer të cilësisë së parë me ngjyrë të bardhë, sikundër ambienti i parahyrjes dhe hyrjes në vilë. Ndërsa sipas Bellos, ambientet e salloneve të mëdha dhe fjetjes do shtrohen me dysheme parket druri të tipit MASSELL. Bello bën të ditur se muret do të jenë me termoizolim, ndërkohë që mësohet se xhamat e dritareve do të jenë dopio me trashësi 5 mm dhe të blinduara. Sa u përket dyerve, ato do të jenë prej druri të prodhimit italian cilësia A, ndërsa bravat duhet të jenë vetëm me doreza bronzi të tipit automatik. Tavanet, është vendosur të jenë të varur dhe me aftësi të larta zjarrduruese, bën të ditur deputeti Bello.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›