Balla: Berisha-Topalli, mosmirënjohës ndaj kontributit të opozitës në NATO
Gjatë fjalës së tij në kuvend, deputeti i PS, Taulant Balla e ka përgëzuar aderimin e Shqipërisë në NATO, dhe se është vërtetë një arritje historike dhe përmbushje e aspiratës së të gjithë shqiptarëve, ashtu sikurse ky anëtarësim është një ëndërr e bukur për të gjithë ne. Por, sipas tij, kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka mohuar kontributin e opozitës, duke hedhur baltë mbi çelësin e suksesit të përbashkët. Balla deklaron se kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli akuzon PS se ka nxirë anëtarësimin.
Por, nga ana tjetër si kundërpërgjigje ndaj saj, Balla thekson se të gjithë pranojnë se ne nuk do të ishim në NATO sot pa përkushtimin e PS në ringritjen e ushtrisë deri në vitin 2005, dhe sigurisht pa angazhimin tonë solemn për dialog dhe konsensus në reformat thelbësore të procesit. Unë e di zonja Topalli se shprehja jote e preferuar është plumbin ballit, por anëtarësimi në NATO nuk bëhet me mallkime dhe plumba. Apo harrove që baruti këtyre plumbave dhe predhave në Gërdec nxiu qiellin euro-atlantik të Shqipërisë?, u shpreh deputeti Balla ndaj kryeparlamentares, Topalli. Në mbajtje të qëndrimit të tij, Balla vijoi duke u shprehur se unë e di që ti moj zonjë nuk di të falenderosh, por të paktën nuk ke pse mallkon. Nuk mund të na e mohosh as ti dhe as Sali Berisha kontributin tonë këtu në sallë dhe as të Edi Ramës, sepse ky kontribut është detyrimi ynë moral dhe politik ndaj shqiptarëve. Balla u shpreh se ne nuk jemi këtu për të matur forcat me ty apo me ekipin tënd, por jemi këtu për ti shërbyer shqiptarëve, sot në opozitë, pas 90 ditësh në qeveri. Të gjithë këtu në sallë e dinë, të paktën shumica e kolegëve në të djathtë, që ky pseudo-turi yt nëpër Shqipëri, mbaron në shtator-tetor. Jo pa qëllim, një nga kolegët tuaj akuzoi se sekti Topalli po synon të uzurpojë Partinë Demokratike, pas humbjes së sigurtë më 28 Qershor. Deputeti Balla tha se prej afro një viti Shqipëria jonë është de fakto pjesë e kësaj Aleance euro-atlantike, ndërsa pas disa ditësh ne do të jemi anëtarë de jure në këtë organizatë të paqes, sigurisë, begatisë dhe mirëqenies. Ëndrra u bë realitet dhe pa dyshim të gjithë duhet të jetojnë realitetin, u shpreh Balla, duke shtuar se të bëhesh anëtar i NATO-s ka qenë një sfidë shumë e vështirë që kërkoi shumë mund dhe kohë, ndërsa të sillesh si anëtar i NATO-s kërkon institucione të forta dhe pjekuri politike. Balla kujtoi seancën celebre të ditës së enjte, ku kuvendi miratoi të gjithë bashkë paketën ligjore të aderimit në NATO, duke e cilësuar një simbolikë të nevojshme të faktit që përgjatë këtij procesi ka qenë pikërisht kjo frymë bashkëpunimi çelësi i suksesit.