E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët zihen për anëtarësimin e vendit në NATO, pozitë-opozitë në luftë për kontribute

Topalli i bën thirrje Ramës, të përshëndesë miratimin e paketës ligjore të aderimit të Shqipërisë në NATO
Në seancën e djeshme plenare, aderimi i Shqipërisë në NATO edhe për pak ditë u shndërrua në një debat të ashpër politik mes pozitës dhe opozitës. Shqipëria në NATO, në vend që të festohet, është shndërruar në një mollë sherri për arsye xhelozie politike, duke i mohuar njëra-tjetrës kontributin e rëndësishëm në vite. Mazhoranca ka mbajtur një qëndrim krenarie se aderimi i Shqipërisë në NATO është një sukses ekskluziv i politikës së saj, ndërsa nga ana tjetër opozita aktuale ka kundërshtuar qëndrimin e saj, duke u shprehur se kjo nismë e rëndësishme i ka rrënjët kohë më përpara, kur Partia Socialiste ka qenë në pushtet. Pas marrjes së fjalës në Kuvend gjatë debatit të lirë nga deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla nuk ka ngurruar të kritikojë kryeparlamentaren Topalli, duke theksuar se ka hedhur baltë mbi çështjen e bashkëpunimit, për arritjen e madhe të hyrjes së Shqipërisë në NATO. Balla e ka cilësuar si të pamundur integrimin në Aleancë, pa angazhimin e opozitës për dialog dhe konsensus. Mos na mohoni të drejtën e kontributit tonë të pazëvendësueshëm, pasi ky është detyrimi ynë moral dhe politik. Ne jemi këtu për ti shërbyer shqiptarëve, sot në opozitë dhe në qeveri, theksoi Balla. Ndërsa nga ana tjetër, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeparlamentares, Jozefina Topalli, ku me krenari i ka kërkuar deputetit Taulant Balla që ti kërkojë kryetarit të PS-s ë, Edi Rama që të përshëndesë miratimin nga parlamenti, pak ditë më parë, të paketës ligjore të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Duke iu përgjigjur kritikave të të majtëve ndaj saj, lidhur me kontributin e opozitës në këtë proces, znj. Topalli tha se "pas katër ditësh Shqipëria në Strasburg bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Ajo do të ulet në tryezë me aktorët dhe faktorët më të mëdhenj ekonomikë dhe politikë globalë. Padyshim, që kjo rrugë ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, por përpjekjet tona kanë qenë titanike. Kërkojini kryetarit tuaj, Edi Rama, vetëm një gjë: ta përshëndesë Paketën e anëtarësimit në NATO". Pas deklaratës së deputetit Balla se kryeparlamentarja Topalli ka hedhur baltë mbi bashkëpunimin e opozitës në këtë proces të rëndësishëm për Shqipërinë reagoi zv/kryeministri Genc Pollo. Në këtë kuadër, Pollo theksoi se Shqipëria në NATO është meritë politike ku nuk ka munguar kontributi i opozitës. Përsa i përket debatit të kontributit të dyshes mazhorancë-opozitë për aderimin e Shqipërisë në NATO, zv/kryeministri Pollo tha se gjithkush është i interesuar në lojën e brendshme që tia tregoj vetes masën e madhe të mundshme. Ai shtoi se nuk është mohuar ndonjëherë kontributi i opozitës, e cila sipas tij, arriti të transformohej nga një politikë antiamerikane dhe europiane në gjysmën e dytë të viteve me shumë përpjekje në gjysmën e dytë të viteve 90 dhe aq më pak arritja e A3 e cila ndodhi në atë. Vetëm se duhet të jemi të qartë se anëtarësia në NATO nuk është çështje dëshire e aplikantit, është çështje e përmbushjes së standardeve, u shpreh Pollo, duke shtuar se unë jam i bindur që do të jenë zgjedhjet jo vetëm më të mira që janë nga 91 e këtej, por do të jenë zgjedhje që do të meritojnë dhe lavdërimet e vëzhguesve ndërkombëtarë. Zv/kryeministri Pollo e përgëzoi arritjen e madhe të anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut është meritë e politikës , në të cilën nuk ka munguar edhe kontributi i opozitës. Ndërsa deputeti socialist, Pandeli Majko aderimin e Shqipërisë në NATO e ka cilësuar një shfrytëzim politik të pritshëm. Por sipas tij, publiku tani i mëson lodrat e politikës dhe e kupton që është një proces. Qytetari i thjeshtë e kupton se ngjarja është e rëndësishme. Ky është akti më i rëndësishëm i historisë së re të shqiptarëve, u shpreh Majko. Ai nënvizoi se e  gjithë klasa politike shqiptare realizoi një nga misionet më të vështira dhe se duhet të bëjmë një histori që kalamajtë tanë ta lexojnë në mënyrën sa më normale të mundshme.   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›