Patozi: Votimi i draftit për ish-të përndjekurit, ndan opozitën nga e kaluara
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi ftoi opozitën e majtë që të votojë projektligjin Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve të regjimit komunist. "Ftoj opozitën që ta votojë këtë ligj, me anë të të cilit për herë të parë ajo mund të distancohet nga e kaluara e errët e diktaturës komuniste", tha të hënën në mbrëmje në Kuvend, deputeti Patozi.
"Ne nuk mund t'u kthejmë të përndjekurve borxhin që u shkaktoi diktatura komuniste, me vrasjet, burgimet e padrejta dhe internimet, që ju (opozita) sot po i mbroni. Ne, sot si shtet i së drejtës, të paktën moralisht do të mundohemi t'u lehtësojmë dhimbjen e shkaktuar në vitet e diktaturës, ndërsa ju po bëni të kundërtën", u shpreh kryetari i deputetëve të PD-së, gjatë diskutimit në Kuvend të amendimeve në ligjin për ish-të dënuarit e regjimit komunist.