Bello: RTSH, vegël e dyshes Berisha-Topalli
RTSH është bërë sot një fushë beteje e luftës së brendshme në PD, ku për shkak të rivalitetit Berisha-Topi-Topalli, dy drejtor informacioni janë detyruar të japin dorëheqjen, ndërsa i treti, një militant i PD, po demonstron hapur zellin partiak, duke e kthyer RTSH përfundimisht në një megafon të dyshes Berisha-Topalli, të cilët po u marrin frymën institucioneve të pavarura dhe po shkatërrojnë të ardhmen demokratike, lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve. Ky është mendimi i Partisë Socialiste i shprehur sot nëpërmjet deputetit Marko Bello.
“Që prej ardhjes së PD në pushtet, kryeministri Sali Berisha nxitoi të uzurponte me çdo çmim Radio Televizionin Publik Shqiptar, me synimin e qartë për ta kthyer atë në një vegël “qorre” në duart e tij, për të propaganduar të ashtuquajturat arritje spektakolare të qeverisë së tij të dështuar, por edhe për të mbuluar zullumet e korrupsionit që sa vijnë e trashen” – tha ai.
“Sot, kur vëmendja e mbarë botës është përqendruar tek Lojërat Olimpike të Pekinit, RTSH, e cila ka blerë edhe të drejtën e transmetimit televiziv të këtij aktiviteti sportiv botëror i lejon vetes luksin të mbulojë hapësirat e transmetimit me emisione speciale për Sali Berishën dhe Jozefina Topallin”.
“Të prezantosh Berishën si kryeministër të suksesshëm, kur shqiptarëve u ka vajtur thika e varfërisë në kockë, të propagandosh si arritje spektakolare turet turistike të Jozefina Topallit nëpër botë, kur parlamenti është sot peng i mafias që dikton deri edhe ligje që vijnë ndesh me interesat e shumicës së shqiptarëve është minimalisht mungesë profesionalizmi dhe pa diskutim verbëri partiake deri në ekstrem, dhunim i të drejtës së qytetarëve për informim të paanshëm dhe shkelje flagrante e ligjit mbi mjetet e informimit publik” – vazhdoi Bello.
Grupi Parlamentar i PS gjen rastin t’i bëj edhe një herë thirrje drejtuesve të RTSH, të ndalojnë urgjentisht këtë propagandë të shëmtuar, të respektojnë ligjin dhe të largojnë menjëherë nga ky institucion që mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë të gjithë militantët e PD, të cilën shqiptarët do ta nxjerrin në opozitë, në mënyrë ekzemplare. Ne i paralajmërojmë servilët dhe kasnecët e PD në RTSH, të heqin dorë nga synimet dhe përpjekjet për të justifikuar çdo tentativë të mundshme të Sali Berishës për të deformuar vullnetin e shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.