E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bello: Rama do të bëhet kryeministër si kryetar i PS, e jo nga Bashkia



Deputeti socialist, Marko Bello, analizon periudhën një vjeçare të opozitës socialiste. Sipas tij, efektet e bojkotit dhe protestave do të shihen në produktin që do të japin zgjedhjet e ardhshme.
Bello i kërkon Edi Ramës të fokusohet te Partia Socialiste, nëse do të fitojë zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa e gjen burimin e nervozizmit në Kuvend gjatë seancës së fundit dhe tek dështimi i miratimit të ligjit të SHISH-it.
Zoti Bello, në një analizë të shkurtër, si do ta përcaktonit këtë vit politik që pas zgjedhjeve të 28 qershorit e deri më sot, duke parë si maxhorancën ashtu dhe opozitën, pjesë e së cilës ju jeni?
Unë do ta cilësoja një vit shumë të vështirë. Sa i përket opozitës, ajo pati probleme që vinin për shkak të humbjes së përsëritur të zgjedhjeve, humbje që u shoqërua me akuza për manipulim të zgjedhjeve, por ç'është e vërteta, nuk pati një analizë për shkaqet kryesore të këtij rezultati. Për këtë shkak, opozita kaloi në disa faza ku pati dhe debate të ashpra brenda saj, ku pati kritika për mënyrën se si u zhvillua fushata, por pati dhe një kongres zgjedhor ku, megjithë kritikat e bëra, zoti Rama mori mbështetjen e shumicës së anëtarësisë, që do të thotë se i dhanë edhe njëherë besimin për të drejtuar PS-në. Ky është një fakt që duhet pranuar. Zoti Rama u konsolidua në krye të PS, por shqetësimi që unë kam shprehur dhe i kolegëve të tjerë, ka qenë orientimi i PS-së drejt një partie parlamentare, gjë që erdhi, por me pak vonesë. Ju e dini, u desh një përpjekje e madhe. Edhe sot ka diskutime në PS nëse a ishin pozitive protestat, a dha rezultatet e pritura greva e urisë apo duhej luftuar më fort në Parlament?
Sollën protestat dhe greva e urisë suksesin e pritur, pasi dhe deputetja Olta Xhaçka është shprehur se PS s'duhet të kishte dalë nga greva pa marrë garancitë nga ndërkombëtarët?
është e vështirë ta ndash me thikë këtë gjë, por unë e përsëris se një kombinim mes të gjitha formave do të ishte shumë më i suksesshëm. Unë nuk kam qenë asnjëherë kundër protestave, ato janë një mjet shumë efikas në duart e opozitës, por jo si qëllim në vetvete dhe jo vetëm ato. Sepse një parti me 64 deputetë në Parlament ka forcë dhe këtë e tregoi dhe në seancat e fundit. Opozita ka treguar se di të bëjë analiza të qarta dhe di të verë gishtin në plagë. Ajo që i mungon opozitës është mungesa e një alternative, të cilën duhet ta përpunojë në të ardhmen. Sensibilizimi që iu bë faktorit ndërkombëtar, siç pretendojnë njerëzit, të cilët ishin në favor të protestave, mendoj se u "eklipsua" nga fakti që opozita mbeti jashtë Parlamentit. Nëse opozita u mbështet nga populli brenda vendit, ajo u kritikua nga faktori ndërkombëtar. Ky ekuilibër u rregullua kur opozita vazhdoi të protestonte, por nisi dhe jetën parlamentare. Unë mendoj se beteja për hapjen e kutive deri në njëfarë mase pati rezultatin e vet, në kuptimin që u sensibilizua dhe shpresoj se pas saj, Berisha dhe të tjerët s'do guxojnë të prekin më votën, por kjo duhet të provohet në zgjedhjet e ardhshme. Nëse ky efekt do të dominojë, them se ia vlejti kjo përpjekje. Nëse nuk marrim këtë efekt, do të thoja se ishte një lëvizje në boshllëk.
Nëse kutitë nuk do të hapen, mund të konsiderohet e suksesshme kjo lëvizje pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit?
Unë nuk kam besuar se Berisha do të hapte kutitë, për ato arsye që njihen, por e thashë se nëse i bëjmë përmirësime kodit dhe merren garancitë maksimale se vota nuk do të preket, (sepse do të hetohet në çdo moment) atëherë them se kjo përpjekje ia vlejti. Dhe e kundërta, nëse këto përpjekje nuk do të sjellin asnjë efekt në zgjedhjet e ardhshme, atëherë them se nuk vlejti asnjë sakrificë e ndërmarrë nga opozita. Muajt e parë të vitit kanë qenë të vështirë për opozitën, e cila kërkonte të sensibilizonte dhe deri diku ia arriti qëllimit, ndërsa nga ana tjetër, kishte kritika të mëdha nga ndërkombëtarë që kërkonin të hynte në Parlament dhe të sillej si opozitë konstruktive. Sot shohim se është gjetur kjo rrugë e ndërmjetme, një lloj obstruksionizmi, opozita gjendet në Parlament, por nuk voton asnjë ligj. Unë mendoj se është më mirë të votojmë kundër ligjeve të maxhorancës, duke paraqitur fakte dhe argumente pse ato ligje duhen votuar kundër, si të dobëta dhe me efekte negative në jetën e qytetarit, sesa të mos i votojmë fare, siç dhe po bëjmë. Unë kam respektuar vendimin e shumicës, por nuk jam i bindur se kjo është rruga e duhur. Mendoj se opozita duhet jo vetëm agresive, por dhe të paraqesë alternativë. Shumë deputetë të opozitës janë në nivelin e konstatimit të problematikës. Konstatimin e bëjnë dhe qytetarët. Ne duhet t'u ofrojmë atyre zgjidhje për varfërinë, papunësinë, korrupsionin, padrejtësitë etj. Të gjitha kategoritë shoqërore janë të pakënaqura dhe na duhet neve që të japin alternativat për këto kategori, pse ata duhet të na besojnë.
Rrugën që po ndjek sot PS, pra kthimin në jetën parlamentare dhe larg bojkotit, një grup deputetësh ku bëni pjesë dhe ju e keni parashikuar që në shtator 2009. Vlerësohet sot në PS ky qëndrim parimor juaji në atë kohë, apo ju vazhdoni dhe shiheni si "armiq të brendshëm".
Sigurisht, ka pasur dhe momente të vështira në PS kur jemi parë dhe si "armiq të brendshëm të partisë", por shoh se tani së fundmi ka një qetësim të këtij tensioni, kështu të paktën më duket mua. Kjo vjen për dy arsye, sepse ne e kemi ulur tempin e kritikave. Unë nuk e kam parë kritikën si qëllim në vetvete. Në PS do të ketë vazhdimisht kritika për të përmirësuar punën tonë, për gjëra që janë madhore, ndërsa kritikat e vogla që s'kanë shumë peshë për qytetarin, mendoj se duhet t'i lemë mënjanë, pasi ato nuk prodhojnë asgjë. E dyta, shumë nga çështjet që ne kemi adresuar shtatorin e kaluar, tashmë kanë hyrë në shtratin e tyre normal, d.m.th., u evitua bojkoti parlamentar, nuk u dogjën mandatet, po vazhdohet një jetë parlamentare dhe pse me ato mangësi që përmenda më lart, por është shumë më mirë se të jesh jashtë Parlamentit. Debati parlamentar e bën shumë interesante jetën politike. Dua të sjell si shembull debatin për rishikim e buxhetit apo dhe ligjin për SHISH-in, ku përqendrohet dhe vëmendja e opinionit publik. Në mitingje sensibilizohet vetëm ajo pjesë e shoqërisë që të vjen nga pas, ndërsa në Parlament ti ke mundësi të bësh betejë politike dhe të japësh alternativa për një masë, e cila kalon dhe mbështetësit e tu tradicionalë.
Nisur nga debati për ligjin e SHISH-it, ku ju u përballët në Parlament me maxhorancën dhe prezenca juaj bëri që të thyhen votat, mendoni nëse ju do të ishit jashtë Parlamentit, ai do të kishte kaluar? Mendoni se bojkoti i Parlamentit ka prodhuar ligje të dobët dhe të mangët, që sjellin efekte negative në jetën e qytetarëve?
Pa diskutim, që mungesa e opozitës ia ka bërë më të lehtë maxhorancës jetën parlamentare. Me pak humor, ndonjë koleg i maxhorancës thotë se "kur nuk ishit ju, i kalonim për gjysmë ore ligjet, ndërsa tani po na nxirrni 'të zitë e ullirit'". Ajo që më shqetëson është se maxhoranca duhet të ishte më bashkëpunuese me opozitën për të bërë ligje më cilësore, ndërsa agresiviteti vetëm dëmton jetën parlamentare dhe produktin e saj.
Seanca e fundit parlamentare pati një shfaqje të shëmtuar, ku deputetë të qarkut ku ju bëni pjesë u përleshën mes tyre duke i dhënë një fund aspak dinjitoz mbylljes së këtij sesioni, i cili nisi pa prezencën e opozitës. Pse gjithë ky mllef dhe sherr brenda një Parlamenti që po shkonte drejt një funksionimi normal, e ku pritej një zgjidhje e krizës politike për transparencën?
Kjo është një pyetje shumë e saktë. Unë e kam pak të vështirë, jo për oportunizëm, sepse nuk dua të komentoj për veprimet e kolegëve të mi, qoftë të majtë apo të djathtë, natyrisht që çdo veprim i shëmtuar në Parlament duhet dënuar, apo më e pakta duhet distancuar. Unë mendoj se opozita u fye në Parlament, jo nga shumica e kartonit, por mënyra arrogante e përçmimit që iu bë opozitës, mënyra se si drejtuesja e seancës po kalonte ligjet e buxhetit, ishte fyese. Mënyra se si kryeministri iu drejtua deputetëve të opozitës, përmes ironisë, denigrimit dhe fyerjeve, të gjitha këto krijuan frymën e tensionit. Por nervozizëm kishte dhe nga ana e maxhorancës, e cila, sipas medias, kishte ditë që përpiqej të kalonte një ligj si ai i SHISH-it dhe në fund doli se NATO ishte më e fortë se PD-ja, e cila u ndal para përplasjes së saj me Aleancën Euroatlantike.
Cili është mendimi juaj për këtë rikandidim?
Zoti Rama duhet të përgatitet të bëhet kryeministër i vendit dhe si i tillë, ai duhet të bëhet nga Partia Socialiste dhe jo direkt nga Bashkia e Tiranës. Ky është mendimi im personal. Ka ardhur momenti që zoti Rama të fokusohet më shumë tek Partia socialiste dhe pse ne nuk kemi kandidaturë më të fortë se zoti Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›