Dasma 3 mln USD e Klintonit, të ftuar dhe Shërbimet Sekrete
Në Nju Jork u zhvillua dje dasma “mbretërore” amerikane. Ceremonia më e përfolur e viteve të fundit, e emërtuar gjithashtu si “dasma e shekullit”, është ajo mes vajzës së ish-Presidentit amerikan, Bill Klinton dhe sekretares aktuale të Shtetit, Hilari Klinton.
çelsi Klinton, 30 vjeç, u martua me ta dashurin e saj prej shumë vitesh, Marc Mezvinski, 32 vjeç, në një pronë të vetmuar në Lumin Hudson, në Rhinebeck. Ndërtesa e zgjedhur ishte “Astor Courts”, e ndërtuar sipas stilit Beaux Arts për John Jacob Astor IV më shumë se një shekull më parë. Ajo rrethohet me peizazhe mahnitëse që dikur inspiruan piktorët, dhe ka një hapësirë rrethuese prej 50 hektarësh për të mbrojtur nga sytë kureshtarë. Ceremonia e dasmës i kishte pothuajse të gjitha detajet sekrete, gjë që tërhoqi akoma më shumë vëmendjen e mediave. Detaje të dasmës së tyre janë mbajtur sekret deri në minutën e fundit, me shitësit, përgatitësit, rregulluesit e dekorimeve dhe punonjësit e restoranteve, të gjithë të betuar për ruajtjen e sekretit. Rrugët u mbyllën, fluturimet në qiell gjithashtu. Banorët e zonës kanë marrë nga një shishe verë nga familja Klinton për dasmën e madhe. Shishja vinte me një mesazh ku kërkohej ndjesë për çdo shqetësim dhe një numër telefoni, ku ata mund të merrnin nëse kishte ndonjë problem. Ndërsa Policia Private, Shërbimet Sekrete mbushëm qytetin e 8 mijë kureshtarëve, mijëra njerëz sërish ishin nëpër rrugë gjashtë orë para fillimit të ceremonisë për të parë të ftuarit e famshëm dhe mbi të gjithë çiftin Klinton. Në dasmë ishin 400-500 të ftuar. Pronari i restorantit tha se do të ishte e pasjellshme të tregohej më parë se çfarë do të kishte për darkë.
Dashuri e hershme
çelsi dhe Mezvinski ishin shokë që në adoleshencën e tyre në Uashington, dhe të dy ndoqën Universitetin “Stanford”. Ata tani jetojnë në Nju Jork, ku Mezvinski punon në fondin “G3 Capital” në Manhatan. Më parë ai ka punuar në “Goldman Sachs” si investitor bankar. Klinton ka përfunduar masterin në shërbimin publik në fillim të këtij viti në “Mailman School of Public Health” në Universitetin “Columbia”. Mezvinski është djali i ish-përfaqësuesve republikanë: Marjorie Margolies-Mezvinski e Pensilvanisë dhe Ed Mezvinski i Iouas, miq të hershëm të familjes Klinton. Prindërit e tij janë divorcuar. Në fillim të korrikut, Hilari Klinton tha për mediat polake se e gëzonte shumë fakti që do të zhvillohej dasma e vajzës së saj. “është vërtet një periudhë shumë e lumtur për familjen time”, tha ajo duke shtuar, “Eshtë sinqerisht gjëja më e rëndësishme në jetën time tani”.
Të ftuar
Dasma e çelsi Klintonit numëron një listë të gjatë të ftuarish VIP. Familja Klinton është munduar të mbajë të fshehtë gjithçka edhe rreth të ftuarve. Por është mësuar se mes tyre janë prezantuesja e famshme televizive, Oprah Uinfrey dhe regjisori Steven Spielberg, Madeleine Albright, sekretare shteti gjatë mandatit të dytë të Klintonit si President, Vernon Jordan, ish këshilltar i Presidentit; producenti i filmave Steve Bing, këngëtarja edhe aktorja, Barbra Streisand, moguli i mediave, Ted Turner, gazetarë, shumë figura politike, biznesmenë e donatorë. Emri që i mungon listës së të ftuarve është ai i Presidentit Barak Obama. Ai pohoi në një emision televiziv në kanalin ‘ABC’ se nuk ishte i ftuar në ceremoni.
Kostot
Mediat kanë raportuar shifra të ndryshme marramendëse për ceremoninë, që nga shumë reporterë është quajtur si dasma e shekullit. Një mik i familjes Klinton në anonimitet është shprehur se shpenzimet e dasmës i kanë kaluar 1 milionë dollarë. Por ekspertët e organizmit të dasmave kanë vlerësuar se ceremonia mund të vlejë diku tek 3 milionë dollarë. Rreth 750,000 dollarë janë shpenzuar për shërbimin e ushqimit katering, me 30,000 dollarë të tjera për pijet. Më shumë se 600,000 dollarë janë shpenzuar për tendat më ajër të kondicionuar, 250,000 dollarë janë shpenzuar për lulet, 40,000 për argëtimin dhe 20,000 dollarë për tortën. Nga 15,000 deri në 20,000 dollarë janë shpenzuar për tualetet “portative”. Mes shpenzimeve është llogaritur edhe fustani i stilistes Vera Wang që do të veshë çelsi, i cili ka një vlerë nga 20-25 mijë dollarë.
Siguria
Siguria ishte një element i rëndësishëm dhe i dukshëm i ceremonisë. Shërbimet sekrete amerikane do të kenë në kontroll prindërit e nuses, për shkak të titujve që ata kanë. Administrata Federale e Aviacionit e ka deklaruar të gjithë zonën “zonë të ndaluar fluturimi” për 12 orë. Rrugët janë mbyllur nga ora 16:00 deri në 20:00 me orën lokale (22:00-02:00 me orën në Shqipëri). Dasma e fundit që ka pasur kaq shumë vëmendje për pasardhës të një ish-presidenti, ishte ajo e John F. Kennedy Jr dhe Carolyn Bissette në vitin 1996.