E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droutsas: Jemi të gatshëm për dialogun Serbi-Kosovë



Gjatë vizitës dje në Prishtinë pas Beogradit, zv/ministri i Jashtëm grek, Dimitrios Droutsas tha se nuk është objektiv i tashëm të flitet për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, apo njohjen e Kosovës nga Greqia, pas mendimit pozitiv të Gjykatës për Kosovën. “Ky është një vendim që secili shtet e merr vetë. Ne duam të shohim të ardhmen dhe e ardhmja për ne është perspektiva evropiane për tërë rajonin”, tha Droutsas. Ai shprehu gatishmërinë e shtetit të tij që të ndihmojë dialogun mes Prishtinës e Beogradit. “Raportet personale të kryeministrit grek, Jorgo Papandreu me presidentin Tadiç dhe kryeministrin Thaçi, mund të kontribuojnë në hapjen e dialogut. Ky është qëllimi ynë dhe si Greqi ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë për të gjetur mënyra konstruktive të komunikimit”, tha Droutsas. Para se të mbërrinte në Prishtinë, Droutsas përgënjeshtroi nga Beogradi lajmin se BE u kishte dorëzuar një rezolutë Kombeve të Bashkuara për Kosovën. “Vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë qëndrim të harmonizuar për Kosovën, por po zhvillojnë bisedime për këtë çështje”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›