E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Faljet”, PD injoroi Presidentin



Partia Demokratike refuzoi kërkesën e Presidentit Bamir Topi për të votuar me konsensus ligjin “Për faljen”.

Pas kalimit të afatit të dekretimit nga kreu i shtetit dhe botimit në fletoren zyrtare, zbardhet arsyeja përse Topi nuk pranoi ta hidhte firmën mbi këtë ligj.
Letra
Burime pranë Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve bëjnë të ditur për gazetën, se së bashku me draftin e ardhur nga qeveria, ishte edhe një letër që Zyra Juridike e Presidencës i kishte dërguar Ministrisë së Drejtësisë, gjatë muajit maj, kur kjo e fundit kishte kërkuar mendim për ligjin e ri. Në këtë letër kreu i shtetit kishte kërkuar që ky draft të miratohej në Parlament me 84 vota, çka do të thotë se sipas Topit, kjo praktikë e re për faljen e të dënuarve duhet të merrte edhe votat e Partisë Socialiste. Kjo kërkesë e Presidentit kishte ardhur për shkak se akti ligjor lidhet në thelb edhe me një nga kompetencat e kreut të shtetit, e parashikuar në nenin ‘92 të Kushtetutës, ku në pikën “b” të këtij neni thuhet shprehimisht: “Presidenti ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit”. Megjithatë gjatë seancave të zhvilluara në Komisionin e Ligjeve letra e Topit nuk u lexua dhe nuk u mor në konsideratë gjatë diskutimit të neneve të këtij ligji. Ky veprim i maxhorancës u pasua nga rrëzimi i dy kandidatëve të dekretuar nga Kreu i Shtetit për në Gjykatën e Lartë. Konsensusi i kërkuar nga Bamir Topi mes shumicës dhe opozitës u arrit vetëm për katër nga 16 nenet e këtij ligji, kur juristët e pakicës në komisionin e ligjeve propozuan disa amendamente, që u pranuan nga maxhoranca. Në fund, kur ligji u miratua në tërësi, munguan votat e opozitës, si në Komisionin e Ligjeve ashtu edhe në Parlament. Sipas PS-së disa nene të këtij ligji janë anti- kushtetuese, pasi kompetencat e përcaktuara në ligjin themeltar për kreun e shtetit, me hyrjen në fuqi të draftit, i kalojnë Ministrisë së Drejtësisë. “Ju kërkoni të transferoni kompetencën e Presidentit për faljet, për ta kthyer në kompetencë politike të Ministrit të Drejtësisë. Kjo është antikushtetuese”, - tha deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, në një nga mbledhjet e komisionit të ligjeve, ku u diskutua propozimi i Qeverisë. Por në të njëjtën kohë, një deklaratë e Vasilika Hysit në Kuvend, lë të hapur mundësinë që Partia Socialiste ta dërgojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, pikërisht për shkak se sipas saj cenohen kompetencat e Topit. “Për faktin se cenohet institucioni i Presidentit, cenohet Kushtetuta, ne shprehim votën kundër këtij ligji dhe uroj që ju të reagoni, që ky ligj të mos shkojë në Gjykatën Kushtetuese, pikërisht për këtë pjesë që unë sapo thashë”, - tha deputetja Vasilika Hysi, para votimit të projektligjit në Kuvend.
Heshtja e Topit
Heshtja e Presidentit, në fakt parashikohet në nenin ‘84 të Kushtetutës: “Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Ligji quhet i shpallur, në qoftë se Presidenti i Republikës nuk ushtron të drejtat e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni dhe në paragrafin 1 të nenit 85”. Ligji “Për faljen” u miratua në Parlament, në seancën e 1 korrikut dhe dy ditë më vonë ai iu dërgua kreut të shtetit për t’u firmosur. Burime zyrtare nga Presidenca bënë të ditur për gazetën “Panorama”, se Topi ka pasur afat deri në 23 korrik për të hedhur firmën mbi këtë ligj, por ai ka vendosur të mos e dekretojë, duke e lënë të hyjë në fuqi pas kalimit të këtij afati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›