E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Rama: Roli i Topit në Kushtetutë



Lëvizja Socialiste për Integrim doli dje në mbrojtje të Presidentit, në lidhje me qëndrimin e tij për Gjykatën Kushtetuese.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, tha dje se raporti i presidentit me pushtetet e tjera të vendit është i përcaktuar qartë në Kushtetutë, duke mos evidentuar asnjë shkelje të saj. "Unë, në emër të LSI-së, deklaroj se raporti mes Presidentit dhe pushteteve të tjera, më konkretisht, mes Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, mes Presidentit të Republikës dhe Qeverisë, mes Presidentit të Republikës dhe organeve të drejtësisë, janë marrëdhënie që ndërtohen mbi bazë të Kushtetutës, që funksionojnë në zbatim të Kushtetutës dhe që duhen vlerësuar dhe gjykuar vetëm në raport apo në funksion të korrektesës së tyre ndaj Kushtetutës së vendit. çdo koment tjetër është i padobishëm dhe nuk dua të vazhdoj me debate, të cilat dalin jashtë këtij konteksti që i lidh këto institucione, në veprim, ndërveprim, dhe funksionim të tyre në raport me Kushtetutën", - u shpreh Rama. Për LSI-në qëndrimet që duhet të mbahen për çështje dhe institucione të ndryshme, duhet të nisen vetëm nga parimet kushtetuese. "çdo qëndrim duhet kushtëzuar nga Kushtetuta dhe çdo qëndrim duhet motivuar me respekt e me zbatimin e Kushtetutës. Ka pasur raste dhe ne e kemi deklaruar, që me rastin e votimit të disa kandidaturave të sjella nga Presidenti i Republikës, kemi mbajtur qëndrim të ndryshëm nga ai i Partisë Demokratike. Ka qenë qëndrim i ndryshëm, për shkak të bindjes sonë të së drejtës së presidentit, e shprehur kjo përmes dekreteve të tij për të shprehur emrat, që do të përbëni në Gjykatën e Lartë, apo në çdo pushtet tjetër, i cili ka nevojë për emra që vijnë nga Presidenti dhe llogaritë që bëjnë disa njerëz, të cilët shkruajnë dhe në gazeta, që paralajmërojë krizë mes aleatëve në qeverisje, më konkretisht mes PD-së dhe LSI-së. Theksoj, se këto i kanë të pabaza dhe nuk ka asnjë shenjë të krisjes apo në krizën e marrëdhënieve midis partnerëve në qeverisje", - u shpreh sekretari i LSI-së. Sipas tij, koalicioni qeverisës, PD-LSI nuk ka asnjë problem në funksionimin e tij, ndërsa palët vlerësojnë qëndrimet e tyre. "Në thelb apo në parim, dëshiroj të theksoj se nuk ka asnjë problem në funksionimin mes partnerëve në qeverisje. Ne i respektojmë sensibilitetet apo qëndrimet e ndryshme tonat dhe të PD-së, por nga ana tjetër kemi gjetur të njëjtin sensibilitet dhe laujalitet edhe në qëndrimet e PD-së ndaj votimeve ndryshe, apo ndaj qëndrimeve ndryshe, të mbajtura nga LSI-ja", - u shpreh Rama. sipas tij, që në nisje të bashkëpunimit mes dy partive, është përcaktuar qartë se ata nuk do të cenojnë në individualistin e tyre politik. "Kjo, sepse ka qenë një kusht i rëndësishëm që në krye të herës, që në rastin kur ne jemi ulur për të nënshkruar marrëveshje me PD-në, që të respektojmë identitetin politik të secilës palë dhe integritetin politik në qëndrime dhe vendimmarrje për secilën palë, në ato raste kur këto qëndrime nuk cenojnë parimet mbi të cilat është ndërtuar koalicioni dhe që kanë të bëjmë me integrimin e Shqipërisë, me stabilitetin politik dhe me funksionimin normal dhe në respekt të Kushtetutës të të gjitha institucioneve të vendit. Deri tani kjo gjë ka funksionuar në mënyrë korrekte dhe serioze dhe nuk ka arsye pse të mos vazhdojë në mënyrë të tillë edhe më tej", - u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›